Vllaznia pritet që të bëjë disa afrime, madje edhe lojtarë të talentuar nga akademia nigeriane e “Derby”-t, ku si fillim falë bashkëpunimit mes drejtuesve shkodranë dhe atyre nigerianë është gjetur akordi që sulmuesi më i mirë i nigerianëve të mbërrijë në Shkodër në ditët e para të janarit 2019.
Por, duket se drejtuesit kuqeblu, ashtu si edhe në pjesën e parë të sezonit, kanë “harruar” një pjesë të mirë të talenteve të cilët kanë qenë pjesë e skuadrës së parë, por për shkak të objektivit Superiore apo dhe për mungesë hapësirash janë aktivizuar me ekipin B në kategorinë e Dytë.
Ndaj edhe shkodranët, kanë menduar që të huazohen në skuadra të Kategorisë së Parë. Fill pas ndeshjes së fundit zyrtare të Vitit 2018, me koplikast në “Reshit Rusi”, drejtuesit e skuadrës së Malësisë së Madhe kanë kërkuar disa nga lojtarët kuqeblu në formë huazimi, që u bëjnë punë, por edhe që do të kenë më shumë hapësira aktivizimi. Bëhet fjalë për lojtarë si: Denis Balaj, Ergi Borshi, Samet Ruqi, Samet Lushaj, apo Belajdi Pusi.
Në fakt kjo modë është ndjekur ndër vite nga shkodranët. Kujtojmë që tek shkodranët kanë luajtur edhe futbollistë si: Hamdi Salihi, Erjon Hoti apo Elvis Kraja e Franci Ahi që më parë spikatën në Shkodër por edhe në Superiore, e madje, disa prej tyre luajtën edhe me kombëtaren e madhe./vipsport/