Shkodranët e kategorisë së parë, javë “e thatë”
Ka qenë një javë e mbarë ajo e treta e kategorisë së parë për futbollistët shkodranë që luajnë me ekipet e kësaj kategorie, sa i takon aktivizimit në fushën e lojës por ndërkohë ka qenë “e thatë” sa i takon golave të shënuar. Asnjë futbollist shkodran që luan me këto ekipe, nuk ka shënuar në javën e tretë sepse Rraboshta, Galica, Dibra etj, kanë bërë “pushim”. Ndërkohë tek Besëlidhja në fitoren e saj të thellë 4-0 ndaj Elbasanit, kanë luajtur nga 90 minuta në fushë Kepi, Pepaj e Dibra, ndërkohë që Jacaj është aktivizuar 62 minuta duke i lënë vendin një tjetër shkodrani-Mehajt për minutat e mbetura të ndeshjes. Tek Elbasani në këtë ndeshje ka qenë në fushë sulmuesi Galica por pa mundur të bëjë dot asgjë dhe për rrjedhojë është zëvendësuar në ’73 nga nigeriani që pat ardhur për provë tek Vllaznia Olatunji. Tek Luftëtari kanë luajtur 4 shkodranë, Seliman, Ramadani dhe Rraboshta nga 90 minuta ndërsa Baci është zëvendësuar në minutën e 55-të të ndeshjes. Tek Burreli ka hyrë në pjesën e dytë si zëvendësues në minutën e 62-të portieri Halluni ndërkohë që kanë luajtur nga 90 minuta Çaku dhe Frisku. Tek Kukësi ka luajtur 90 minuta Thana. Kjo është pak a shumë pasqyra e aktivizimit të futbollistëve shkodranë në ekipet e kategorisë së parë në javën e tretë të kampionatit.