Mbrëmjen e sotme, ekipi i MFC Panthers Shkodra do të zbresë në fushë për ndeshjen e rradhës në kampionatin 9X9 të “Sunday League”. Skuadra shkodrane do të përballet me ekipin e BTL, takim që do të luhet në kryeqytet dhe që do të startojë në orën 20:00.
Ekipi i MFC Panthers, në gjashtë ndeshjet e luajtura më parë, ka arritur të sigurojë gjashtë fitore dhe momentalisht renditet në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit me 18-pikë të plota.
Në gjashtë ndeshjet e para, shkodranët kanë mposhtur ekipin e Jata 3-0, ekipin e Futura Dent 4-0, ekipin e Albamer 2-1, ekipin e North Gate 3-1, ekipin e Coca-Cola Tepelena me rezultatin 4-1 dhe javën e kaluar, ekipin e Ferraj FC me rezultatin 0-2.
Futbollistët e MFC Panthers kanë objektiv fitimin e këtij kampionati dhe prandaj, drejtuesit e këtij ekipi kanë menduar të kenë në rradhët e tyre edhe ish-futbollistë të njohur. Në përbërje të ekipit MFC Panthers Shkodra, bëjnë pjesë emra të njohur të futbollit shkodran dhe atij shqiptar.
Kështu, për të përmendur disa emra, të cilët kanë spikatur vitet e fundit në futbollin e kalçetos, janë Fatos Behari, Fatjon Nutaj, Besford Gjoklaj, Brendon Smajli, Admir Teli, Oltion Drabeja, Semir Gokaj, Admir Mehja, Valdano Nimani, Albert Mila, Hamdi Salihi, Redi Osmanaga apo edhe presidenti i ekipit të MFC Panthers Shkodra, Ergi Axhani.
Maringlen ZHIVANI