Java e tretë e kampionatit shqiptar rezervon kryendeshjen Tirana-Vllaznia, e cila do të luhet të premten në orën 16:00 në stadiumin “Air Albania”.

Kuqeblutë do të kenë një mungesë shumë të rëndësishme në këtë takim, pikërisht sulmuesin e krahut Liridon Latifi, i cili doli i dëmtuar nga fusha në sfidën me Kukësin pas 73 minutash lojë.

“Panorama Sport” mëson nga burime në klubin shkodran se kosovari ka marrë një goditje në pulpë dhe gjasat janë që të qëndrojë një javë pushim.

Fakti që “klasikja” me Tiranën luhet të premten, ia minimizon edhe më shumë shanset Latifit për të qenë në fushë.

Ndërkohë, dje skuadra ka dalë në stërvitje.

E hëna ka qenë më tepër një seancë shtrydhëse për titullarët, ndërsa ngarkesë kanë marrë vetëm lojtarët që nuk u aktivizuan me Kukësin të dielën.