Sulmuesi shtatëlartë shkodran Bekim Bala i ka dhënë kupën ekipit të Tiranës me golin që ka shënuar mbrëmjen e sotme në finalen ndaj Skënderbeut të Korçës. 21 vjeçari ka shënuar me kokë në minutat shtesë të ndeshjes duke i dhënë fitoren bardhebluve me rezultatin 1-0. Koha e rregullt e këtij takimi përfundoi pa gola. Në shifra të njëjta edhe shtesa e parë 15 minutëshe por me fillimin e shtesës së dytë, ka qenë pikërisht Bala ai që ka shfrytëzuar një top të ardhur nga e djathta dhe e ka dërguar atë në rrjetë. Në këtë mënyrë, ish-sulmuesi i Vllaznisë pasi i ka dhënë Tiranës Superkupën në muajin gusht pikërisht me golin e shënuar në Korçë dhe tashmë i jep edhe Kupën e Shqipërisë. Kjo tregon që futbollistët shkodranë vazhdojnë të jenë të rëndësishëm për skuadrat ku luajnë, paçka se të gjithë do dëshironin që ata të ishin duke kontribuar tek skuadra kuqeblu.
www.shkodrasport.com