Një festë e ligjshme dhe një gëzim i pamatë është për shkodranin Elis Guri sepse është shpallur Kampion Bote në sportin e mundjes. Njëkohesisht shkodrani është kualifikuar në Lojërat Olimpike “Londër 2012”. Nën flamurin e Bullgarisë duke qenë se prej një viti është natyralizuar si bullgar, shkodrani ka arritur të marrë medaljen e arit në peshën 96 kilogram në Kampionatin u zhvillua në Stamboll të Turqisë. Guri, krenari e Shkodrës e gjithë Shqipërisë ka triumfuar në finale përballë suedezit Xhimi Lidberg me rezultatin 2-0.
Guri e nis kampionatin me fitoren ndaj kroatit Sinisha Hogac 3-0, më pas ndaj izraelitit Robert Avanesian po 3-0. Më tej në çerekfinale ka eleminuar lehtësisht rusin Ruslam Totrov 3-1, me po të njëjtin rezultat mund në gjysmëfinale egjiptianin Ibrahim Abdelfatah dhe më pas suksesi i tij kurorëzohet në duelin final ndaj suedezit Lidberg duke marrë medaljen e arit. Është një fitore krejtësisht e merituar shkodranit që tashmë për Bullgarinë merr medaljen e dytë të rëndësishme në arenën Ndërkombëtare. Para pak kohësh mori medaljen e bronxit në Kampionatin Europian që u zhvillua në Dortmund të Gjermanisë. Nëse në Shqipëri, Komiteti Olimpik nuk i dha asnjë mundësi për tre vjet, madje i krijoi probleme dhe vështirësi, duke mos e shpërblyer financiarisht, Bullgaria i bëri një vend mes më të mirëve duke i dhënë gradat e liderit të ekipit kombëtar Të bëhesh një kampion i madh, nuk mjaftojnë vetëm muskujt apo parate, nga ata që kanë nevojë për një shtet. Elis Guri, shkodrani 27 vjeçar që arriti rezultatet më të mira për Shqipërinë në Lojërat Olimpike të Pekinit në vitin 2008, prej afro nje viti ka marrë nënshtetësinë dhe është bashkuar me ekipin kombëtar të Bullgarisë. Për shumë “nacionalistë” veprimi i tij mund të duket i padrejtë, por duke shfletuar me pak kujdes “mëkatet” e institucioneve ndaj mundësit më të mire shkodran e shqiptar të dy dekadave të fundit, do të kuptojmë më së miri që ai ka rënë viktimë e një loje, që për fat të keq as sportin nuk e ka kursyer në vendin tonë. Shqiperia kishte një kampion të madh, vlerat e të cilit i kemi parë në kampionatin botëror të vitit 2007, ku ai u rendit në vendin e shtatë dhe po në atë vit ai zuri vendin e tretë edhe në Kampionatin Europian. Jo më pak e admirueshme ishte edhe paraqitja e tij në Lojërat Olimpike ku ai eleminoi kampionin olimpik në fuqi, duke bërë që të gjithë shqiptarët të ndjenin një krenari të ligjshme për ngjyrat e flamurit. Por më pas erdhi viti i mbrapshtë 2009, kur politika, jo vetëm që shkatërroi sportin olimpik, por me vullnet të plotë “vrau shpresat” edhe për Elis Gurin, e shumë shokë të tij. I gjendur në vështirësi ekonomike nga një sport që nuk i dha kurrë përfitime minimale përfshirë ushqimin dhe strehimin e njëkohësisht i konsideruar në Shqipëri një “disident”, Elis Gurin e prisnin me krahë hapur disa mijëra kilometra larg nga vendlindja e tij. Pikërisht në Sofje, ku nuk ishte krejt i panjohur. Në muajt e parë të vitit 2008 kish patur mundësinë të stërvitej për një kohë relativisht të gjatë pranë ekipit kombëtar të Bullgarisë, ku edhe pati një rritje cilësorë në garimin e tij. Pas pezullimit që mori në vitin 2009 në Shqiperi, transferimi në Bullgari ishte më shumë se një opsion, ndoshta ishte e vetmja rrugë për shkodranin për të ushtruar profesionin e tij. Në mars të vitit 2010 erdhi edhe kërkesa e parë zyrtare për t’u larguar dhe e bëri zgjedhjen e tij, duke u bashkuar me ekipin Kombëtar të Bullgarisë. Në pak muaj sportisti arriti të merrte edhe pasaportën bullgare, e prej andej ai u bë zyrtarisht pjesë e ekipit Kombëtar. Në pjesëmarrjen e tij të parë në Kampionatin Kombëtar të Bullgarisë bëri prezantimin spektakolar, duke fituar të gjitha ndeshjet dhe duke ngritur lart Kupën si Kampion dhe tashmë arrin kulmin duke i dhuruar Bullgarisë medaljen e arit. Përsa kohe nuk do të dimë të vlerësojmë talentet, t’i mbajmë afër, t’i japim atë që meritojnë do të mjaftohemi vetëm duke u gëzuar se shqiptarët, si në rastin e Elisit koleksionojnë medalje e rezultate të larta në llogari të tjera shteteve. Është për të ardhur keq kur askush nuk trazohet që emra si Elis Guri në vend që të ngrejnë flamurin shqiptar, ngjiten në podiumet botërore për shtete të tjera. Ky është realiteti i hidhur që duhet ndryshuar. Ka ardhur momenti që patjetër elitat t’i mbajmë për vete e jo t’ia falim të huajve.