Sfida me Tiranën është e një rëndësie të veçantë për mallakastriotët që kërkojnë me patjetër rikthimin te fitorja. Kualifikimi në Kupën e Shqipërisë, sigurisht që ka ndikuar pozitivisht në kampin ballshiot, teksa skuadra ka nisur tashmë të mendojë vetëm për sfidën e kampionatit me Tiranën.

Për sfidën e radhës me Tiranën, trajneri Arian Bellai dhe stafi i tij pritet që të jenë me grup të plotë. Nga ana tjetër, mallakastriotët janë duke shpresuar që të kenë për lojë edhe një nga lojtarët e dalluar të sezoneve të fundit në radhët e tyre dhe më konkretisht, lojtarin ofensiv, shkodranin Eridon Qardaku, që duket se është në rikuperim e sipër.

Shkodrani ka munguar në dy sfidat e fundit në kampionat, por edhe në Kupën e Shqipërisë, ndërsa për hir të së vërtetës alternativat nuk kanë munguar në kampin ballshiot, sidomos me afrimet e fundit në ofensivë. Skuadra është e grumbulluar prej fillimjavës dhe lojtarët janë përgatitur edhe nga sfida e Kupës, ku pjesa më e madhe e titullarëve janë lënë pushim nga ana e stafit mallakastriot për të qenë gati për kampionatin ndaj kryeqytetasve.

ATMOSFERA- Humbja me Kukësin duket se ndikoi disi në humorin e ballshiotëve, por që kualifikimi rregulloi atmosferën në kampin mallakastriot. Presidenti Besnik Kapllanaj e trajneri Arian Bellai dhe stafi i tij kërkuan nga djemtë që të jenë me “këmbë në tokë”, por edhe të përqendrohen te sfidat e radhës.

Në sfidën ndaj Tiranës klubi ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive të tifozëve, për të mbështetur skuadrën e tyre të zemrës duke qenë se është një duel interesant. Tifozët janë duke i qëndruar afër ekipit edhe në seancat stërvitore, çka tregon se interesi është në rritje për skuadrën e Superiores.