Abdurraman Fangaj beson te forca e Laçit për të fituar kundër Kukësit në sfidën e parë gjysmëfinale të Kupës, që do të luhet të mërkurën.
Mbrojtësi i talentuar i kurbinasve, mendon se bardhezinjtë do të mposhtin kampionët e Superligës, për t’i hapur rrugën vetes drejt finales.
Në një intervistë për “Vipsport.al”, Fangaj tregon edhe emocionet për grumbullimit te ekipi i Shpresave të Shqipërisë.
-Të mërkurën luani përballë Kukësit, në kuadër të gjysmëfinales së Kupës. Çfarë prisni nga kjo ndeshje?
-Normalisht, dihet rëndësia e kësaj ndeshjeje, pasi Kukësi është një kundërshtar i vështirë. Sigurisht që presim vetëm fitore nga kjo përballje, për të vijuar drejt objektivit tonë edhe në Kupë.
-Duke parë se të dyja ekipet po kalojnë një formë të mirë, si e keni përgatitur këtë ndeshje, ndërkohë që Kukësi ka fituar tri herë gjatë këtij sezoni kundër Laçit?
-Kemi bërë përgatitjet e duhura për të marrë rezultatin e kërkuar. Jemi gati të përballemi me Kukësin dhe besoj se do do t’ia dalim me sukses.
-Aktualisht jeni në zonën europiane dhe vendi i dytë është 6 pikë para. A mendoni se e kapni Europën nga kampionati apo synim është Kupa?
-Laçi do të luftojë deri në fund në të dyja frontet, si për kampionatin dhe për Kupën.
-Duke qenë se jeni grumbulluar edhe me Shpresat, a janë rritur përgjegjësitë për Fangajn te Laçi?
-Sigurisht që janë rritur edhe përgjegjësitë. Është një eksperiencë e bukur të luash për ekipin kuqezi, por edhe privilegj që të përfaqësosh kombin./vipsport/