Abdurrahman Fangaj është prej tri sezonesh një prej lojtarëve më të mirë të Laçit, duke qenë konstant në krahun e djathtë të mbrojtjes.

Shkodrani foli dje për “Panorama Sport” në prag të sfidës me Hapoel Ber Shevën, duke u shprehur optimist para udhëtimit në Izrael. Ai mendon se me pak fat kurbinasit mund të bëjnë mrekullinë në Ber Sheva, aty ku të enjten, në orën 19:30, do të luhet ndeshja e kthimit.

Si po e përgatisni ndeshjen e kthimit ndaj Hapoel Ber Shevës?

Përgatitjet kanë vijuar rregullisht, impenjimi është në nivelin e duhur, pasi duke parë edhe rezultatin dhe lojën e zhvilluar në ndeshjen e parë, na jep motivim të dyfishtë për të enjten.

Tashmë e njihni më mirë kundërshtarin…?

Po, e dimë se ku i ka pikat e forta dhe të dobëta. Do të mundohemi t’i godasim aty.

laci

Mendoni se mund t’ia dilni në Izrael?

Duhet ta shtojmë edhe më tepër performancën tonë për të arritur kualifikimin. Unë besoj se i kemi mundësitë.

Çfarë duhet bërë ndryshe nga ndeshja e shkuar për të besuar te kualifikimi?

Nuk është se do të kemi ndryshime të mëdha, thjesht duhet të zbatojmë detyrat e trajnerit dhe të japim 100% tonë. Me ndihmën e Zotit besoj se do t’ia dalim të kualifikohemi.

Keni mbyllur sezonin e tretë te Laçi. Sa ka ndryshuar tashmë skuadra pas afrimeve dhe largimeve të shumta?

Personalisht, jam i lumtur që bëj pjesë te Laçi. Ekipi ka ndryshuar nga viti në vit, drejtuesit u kanë dhënë prioritet dhe mbështetje çunave të rinj. Mendoj se aktualisht kemi një ekip të mirë dhe afrimet e bëra do të na ndihmojnë të jemi një ekip më të fortë se sezoni i kaluar.

Dhe sa do t’ju shohim te kjo skuadër dhe çfarë ambiciesh keni?

Futbollit asnjëherë nuk i dihet, aktualisht jam nën kontratë me Laçin dhe do të vazhdoj të jap 100% tim te kjo skuadër. Sa u takon synimeve personale, ambiciet dhe dëshira ime si çdo i ri është që një ditë të luaj në Europë dhe po ashtu me Kombëtaren.