Kombëtarja U-17 luajti pasditen e sotme ndeshjen e parë miqësore ndaj Malit të Zi. Në takimin e zhvilluar në Podgoricë, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Bledi Shkëmbi u mposhtën me rezultatin 3-1.

Trajneri Bledi Shkëmbi hodhi në fushë këtë formacion: Erno Mustafa (GK), Darli Kurti, Frensi Mali, Spasian Nasto, Hassan Haradini, Lukas Cekrezi, Rikardo Sheji, Arian Gavelli, Gabriel Kulla, Leo Begolli, Serxhio Vogli. Siç shikohet, në formacion nga minuta e parë kanë qenë edhe dy futbollistët shkodranë që luajnë në Itali, Gabriel Kulla dhe Rikardo Sheji.

Kuqezinjtë realizuan një pjesë të parë të mirë, pavarësisht rezultatit 1-0. Malazezët kaluan në avantazh në minutën e 13-të të takimit, teksa ky gol nuk i demotivoi të besuarit e trajnerit Shkëmbi, të cilët tentuan përmes disa rasteve të shënonin golin e barazimit. Pjesa e parë mbyllet me shifrat 1-0 për Malin e Zi. Gjatë pjesës së dytë, trajneri Bledi Shkëmbi kreu disa zëvendësime në fushë, duke u dhënë mundësinë thuajse të gjithë lojtarëve të tregojnë cilësitë e tyre.

Golin e vetëm për kuqezinjtë e shënoi shkodrani Gabriel Kulla, në minutën e 69-të. Kulla merr një top nga Mihana, teksa më pas vepron drejt zonës kundërshtare i vetëm, duke barazuar shifrat në 1-1 për pak minuta. Kujtojmë që ky lojtar ka shënuar dy gola edhe në miqësoren e muajit të kaluar në Slloveni. Goli i sotëm i Kullës nuk ka mjaftuar, sepse malazezët realizuan edhe dy gola të tjerë, duke vulosur rezultatin në 3-1.

Më 24 maj, kuqezinjtë do të luajnë një tjetër sfidë miqësore, po ndaj Malit të Zi në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, në ora 20:30. Këto ndeshje miqësore kundër bashkëmoshatarëve malazezë i shërbejnë stafit teknik U-17 për të vëzhguar e testuar nga afër lojtarët e grumbulluar, teksa fokusi i përgatitjeve është te raundi i parë kualifikues për Kampionatin Europian U-17 “Shqipëri 2025”.