© shkodrasport.com
Shkodrani Gerti Lisha shpallet pasuesi më i mirë në Amerikë
Një volejbollist shqiptar është shpallur pasuesi më i mirë i kampionatit amerikan për muajin mars. Kjo është bërë përmes një votimi elektronik të organizuar në kontinentin e largët. Bëhet fjalë për Gert Lishën, sportistin e ekipit USC i cili po spikat me lojërat që po zhvillon me të. Ai është edhe pjesë e kombëtares shqiptare të volejbollit. Vlerësimi i fundit ka ardhur pas disa ditë votimesh dhe ato janë mbyllur mesditën e sotme, duke shpallur edhe fituesit e kësaj ankete. Në vend të parë është renditur volejbollisti Stijn van Tilburg i ekipit Haëai’i me 42.92 % të votave të publikut ndërsa në vend të dytë është renditur lojtari me origjinë shqiptare Gert Lisha i ekipit USC me 40.14 % të votave të grumbulluara. Lisha njëkohësisht është vlerësuar si pasuesi më i mirë ndërkohë që Tilburg është shquar për lojën e tij në bllok. Natyrisht që vlerësime të tilla për volejbollistin shqiptar, ia rrisin edhe më shumë vlerat atij duke e bërë të jetë një nga lojtarët më të mirë të kampionatit amerikan. Gert Lisha është djali i ish- volejbollistit të Vllaznisë së viteve ’80 Besnik Lisha. Ai është edhe pjesë e kombëtares shqiptare dhe kuptohet që me lojërat e tij është një vlerë e shtuar e saj. Bashkë me një tjetër volejbollist shqiptar, Donald Suxhon, mbeten nga emrat më të shquar të volejbollit shqiptar pas viteve ’90.