Esin Hakaj duket se i ka lënë pas problemet fizike dhe është i gatshëm të japë maksimumin për ekipin e Elbasanit.HAKAJShkodrani luajti sfidën e parë si titullar këtë sezon, në barazimin pa gola ndaj skuadrës së Egnatias në “Elbasan Arena”. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” mbrojtësi i majtë i verdhebluve pohon se skuadra meritonte më shumë ndaj kampionëve në fuqi, por fati nuk ishte me ta që të dilnin me tri pikë.

27-vjeçari shkodran vlerëson paraqitjet e bëra në këtë start kampionati, teksa beson tek një fitore me skuadrën e Bylisit këtë javë. Për Hakajn, Elbasani ka mundësi që në fund të sezonit të arrijë objektivat e klubit dhe për këtë do të japin më të mirën në çdo ndeshje.

Esin, vetëm barazim me Egnatian. Jeni i kënaqur, apo prisnit më shumë?

Duke parë sesi shkoi rrjedha e lojës prisnim më shumë. E them këtë, sepse ishim ekipi që krijuam më shumë raste.

Nëntë pikë në gjashtë javë, si e shihni këtë nisje të kampionatit?

Mendoj që është mirë. Kemi pasur mundësi për më mirë, por siç e thashë edhe më lart ndonjëherë është edhe çështje fati.