Pas një muaji “përgjumje”, drejtuesit e Kastriotit kanë lëvizur. Ditën e djeshme, te krutanët ka pasur rinovime. Kështu, mesfushori shkodran Abaz Karakaçi do të vijojë të jetë pjesë e Kastriotit edhe për një tjetër sezon. Madje pas largimit të Sokol Nezirit në drejtim të Flamurtarit, 29-vjeçari do të mbajë shiritin e kapitenit te krutanët.

Për drejtuesit krutanë dhe trajnerin Emiliano Çela, firma e hedhur nga Karakaçi padyshim që ka qenë shumë e rëndësishme, sepse bëhet fjalë për një futbollist me vlerë për ta në repartin e mesfushës.

Sezonin e shkuar, mesfushori shkodran ishte një nga futbollistët kryesorë të skuadrës krutane. Karakaçi ka pasur dilema rreth qëndrimit të tij tek Kastrioti, teksa ishte në pritje për një lëvizje të mundshme jashtë Shqipërie apo edhe te ndonjë skuadër tjetër, por kështu shkodrani duket se ka mbyllur të gjithë zërat, duke rinovuar edhe një herë tjetër për krutanët.

Nga burime të “Shkodra Sport” mësohet se, ai ka arritur marrëveshjen me presidentin Alban Vogli, duke gëzuar në këtë mënyrë stafin teknik, me në krye trajnerin Emiliano Çela. Në sezonin që sapo u mbyll, mesfushori shkodran Abaz Karakaçi ka qenë një ndër elementët më të rëndësishëm të Kastriotit dhe rinovimi i tij është padyshim një lajm i mirë për krutanët.
Maringlen ZHIVANI