Pas grumbullimit për herë të parë para disa ditësh me kombëtaren U17 të Italisë, portieri shkodran Marco Molla ka arritur të debutojë me fanellën azzure. Dhe e ka bërë në një mënyrë perfekte. Në ndeshjen miqësore ndaj Francës, ai ka pritur një 11-metërsh duke ndihmuar kombëtaren italiane që ta fitojë atë me shifrat 2-1.

Mjafton t’i referohemi portalit ëëë.giovanilinazionali.it i cili në një shkrim të tij ditën e sotme flet pikërisht për këtë ndeshje dhe titulli i tij është mjaft domethënës: “Italia U17, Espozito, Molla e Brentan bëjnë të qajë Francën”.

Ka ndodhur kështu në ndeshjen e dytë miqësore të zhvilluar në mes këtyre dy kombëtareve (e para është zhvilluar dy ditë më parë dhe është fituar 3-0 nga Franca) në qendrën sportiv të “Clairefontaine” ku italianët kanë fituar me rezultatin 2-1. Italianët kanë kaluar në avantazh në ’16 me anë të sulmuesit të Interit Sebastiano Esposito.

Në minutën e 25-të francezët kanë përfituar një 11-metërsh dhe portieri shkodran i Bolonjës dhe i Italisë Marco Molla e ka pritur atë. Gjithsesi vendasit kanë barazuar me anë të Mbuku ndërkohë që në pjesën e dytë ka qenë mesfushori juventin Michael Brentan që ka shënuar golin e fitores për kombëtaren e tij.

Italia sot ka mësuar edhe kundërshtarët në grup për eliminatoret e ardhshme ku do të ndeshen me Austrinë, Rumaninë dhe Turqinë. Në rradhët e kombëtares azzure të kësaj grupmoshe tashmë bën pjesë edhe një shqiptar, shkodrani Marco Molla i cili çdo ditë e më tepër po fiton besimin e stafit të kësaj kombëtareje.

Padyshim që paraqitja e mirë ndaj Francës në debutimin e tij, ka qenë sinjali i parë se ky portier do të ketë shumë të ardhme në vendin fqinj.
© shkodrasport.com