Sulmuesi shkodran Ndue Mujeci ka shënuar sërish në kampionatin malazez të futbollit dhe madje me golin e djeshëm i ka dhënë fitoren ekipit të tij Jezero.

Ky i fundit luante në transfertë ndaj ekipit Rudar Pljevla dhe me këtë fitore 1-0 ka marrë tre pikë shumë të vlefshme me të cilat është ngjitur në vendin e pestë të renditjes me 14 pikë të grumbulluara.

Ka qenë minuta e 34-të e ndeshjes kur Mujeci ka marrë një top nga shokët e ekipit dhe në pozicion disi diagonal nga krahu i majtë i sulmit të skuadrës së tij, ka gjuajtur saktë me të djathtë dhe e ka dërguar topin në trekëndësh duke e bërë të pavlefshme hedhjen e portierit kundërshtar.

Me kalimin e minutave përpjekjet e të dy ekipeve për të shënuar sërish kanë vijuar, megjithatë nuk ka patur gola të tjerë dhe kësisoj i gjithë takimi është mbyllur me fitoren e Jezeros me rezultatin 1-0.

Ky është goli i dytë i Mujecit me skuadrën e tij të re dhe në këtë mënyrë jo vetëm ka fituar vendin e titullarit por edhe tashmë po shfaqet si golashënues./SHKODRA-SPORT.COM/