Merkato është patjetër kryetema e skuadrave shqiptare në këtë periudhë. Një nga ekipet që duket se do ketë lëvizje të shumta si në dalje ashtu edhe në hyrje është Vllaznia.
Shkodranët kanë pasur “hemoragji” së fundmi me largimin e shumë elementëve dhe po mundohen të forcojnë ekipin me futbollistë të tjerë. Një ndër emrat që ka qarkulluar së fundmi për afrimin tek Vllaznia është Elsamed Ramaj.
Lojtari me origjinë shkodrane që luan që nga mosha 15-vjeçare në Gjermani ku është aktivizuar me ekipe si: Hansa Rostock, Lübeck apo edhe FC Kaan-M, u tha se ishte në një provë tek kuqeblutë. Por diçka e tillë mohohet kategorikisht nga lojtari dhe burime shumë pranë tij.
Për Newsport.al, mbrojtësi i majtë konfirmon se ka qenë në bisedime për kupat e Europës me Vllazninë dhe asnjëherë në provë. Por palët nuk kanë rënë dakord për kushtet e vendosura duke bërë që kështu rrugët të ndahen.
Futbollisti 25-vjeçar që është një prodhim i akademisë Vllaznia nuk e shikon të ardhmen e tij në kampionatin shqiptar. Por ishte i gatshëm që të ndihmonte ekipin e vendlindjes në garat e Conference League. Mëngjërashi tashmë është në kërkim të një ekipi tjetër ku duket se Gjermania mbetet një destinacion i preferuar për të.