Lajme të mira për futbollistin shkodran Sabah Kerjota. Ditën e martë ai do të udhëtojë drejt Romës për t’u grumbulluar në Kombëtaren U18 të Italisë për diletantët. Vetëm pak muaj pas rregjistrimit në futbollin italian me ekipin e “ASD Narnese”, ai ka spikatur me paraqitjet e tij në kampionat dhe për rrjedhojë vjen grumbullimi.
Lajmi bëhet i ditur nga mediat e vendit fqinj ku shkruhet: “Pesë umbri në Kombëtaren U18. Trajneri De Patre ka thirrur Carsetti, Leonardi, Kerjota, Grifoni e Bartolini”.
Më poshtë në këtë gazetë shkruhet: Janë pesë futbollistë nën 18 vjeç dhe luajnë në kampionatin e Eccellenza të Umbrias që janë ftuar për grumbullim të martën me datë 8 në Romë, në qendrën e kombëtares italiane të diletantëve.
Trajneri Tiziano De Patre ka “thirrur”: Giacomo Carsetti portier i datëlindjes 2001 nga Ducato, Pietro Grifoni (2001), Daniele Bartolini (2001), Pietro Leonardi (2001) e Sabah Kerjota (2001) nga Narnese. Programi përfshin një miqësore”.
Ky padyshim që është një lajm i mirë për mesfushorin shkodran i cili është rritur tek Akademia Vllaznia por që para disa kohësh u detyrua të emigronte drejt Italisë bashkë me familjen e tij.
I datëlindjes 14 gusht 2001 Kerjota është pjesë e “ASD Narnese Calcio” ku ka spikatur me paraqitjet e tij dhe ky grumbullim me këtë kombëtare, padyshim që do të jetë një nxitje e madhe për karrierën e tij sportive.
© shkodrasport.com