Sulmuesi shkodran Hamdi Salihi ka shënuar të vetmin gol të mbrëmjes së sotme në Norvegji dhe i ka dhënë fitoren kombëtares shqiptare në një ndeshje me shumë emocione. Një kryevepër e Hamdi Salihit, një Etrit Berisha i kthyer në hero, sidomos në fund të ndeshjes, një skuadër e disiplinuar taktikisht dhe që vuri zemrën në fushën e lojës, kanë bërë që të shpërthejë krenaria kuqezi në Oslo, por edhe kudo nëpër botë ku jetojnë shqiptarët. Në mjedisin e acartë të këtij vendi nordik, ata 2 mijë tifozë shqiptarë nuk janë bërë pishman që kishin udhëtuar deri atje për t’i përkrahur beniaminët e tyre, sepse fitorja ka përligjur gjithcka. Ka kaluar çdolloj pritshmërie kombëtarja jonë, e cila është futur si kurrë më parë në vallen e skuadrave pretendente në grupin E, ndërkohë që jemi me pikë të barabarta me Islandën. Kjo e fundit triumfoi në fushën e Sllovenisë këtë të premte me rezultatin 2-1. Pozicionohemi të tretët vetëm ngaqë e kemi humbur betejën me islandezët në fushën tonë, ndërkohë që oreksi i kombëtares sonë është tashmë i madh. Gjithcka ka ndodhur në një 90+4 minutësh dramatik, të zhvilluar në stadiumin “Ulevall”, ku Shqipëria “përplasi brirët” me Norvegjinë, duke fituar falë atij goli të jashtëzakonshëm të Hamdi Salihit. Përveç autorit të golit, ka luajtur disa minuta në këtë ndeshje edhe shkodrani tjetër, mbrojtësi Elseid Hysaj që zuri vendin e Dallkut. Përfundimisht, një fitore e shkëlqyer e Shqipërisë që tregoi se mund të shkojë përpara në këto eliminatore.

www.shkodrasport.com