Momente të lumtura për futbollistin shkodran Ardit Shkjau. Ai është duke luajtur nga janari i këtij viti me ekipin Gharb Rangers që merr pjesë në Superligën malteze dhe po shndërrohet në një protagonist të rëndësishëm të saj.
Për ta vërtetuar këtë, mjafton të përmendim faktin se në tre ndeshjet e fundit, ka shënuar tre gola, ndonëse nuk luan si sulmuesi i mirëfilltë por si mesfushor krahu.
Forma e tij duket shumë e mirë dhe kjo pasqyrohet edhe në shtypin sportiv herëpashere.
Edhe ditën e sotme, një nga gazetat kryesore në vend, i ka kushtuar rëndësi ndeshjes së fundit të ekipit shkodran pikërisht ndaj kampiones së vendit, Victorias ku shkruhet: “Gharb shokon kampionët”.
Gharb e ka mundur me rezultatin 2-1 dhe autori i golit të dytë për të është pikërisht Ardit Shkjau.
Jo më kot, edhe kjo gazetë në foton e madhe të saj ka këtë futbollist ku shkruan: “Ardit Shkjau i Gharb Rangers godet
topin me kokë dhe ndëshkon Victoria Hotspurs”.
Këto paraqitje dhe gola të shënuar e kanë bërë të ndihet mjaft mirë atë dhe ndaj tij ka një respekt maksimal si nga shokët e ekipit dhe stafi teknik ashtu edhe nga drejtuesit e klubit që duken shumë të kënaqur me blerjen e janarit.
Vetë Shkjau në një prononcim të shkurtër për “Shkodra Sport” shprehet: “Jam duke kaluar momente shumë të mira.
Në javët e fundit jam shndërruar në protagonist edhe falë golave që kam shënuar dhe prandaj po më vlerësojnë çdo ditë e më tepër. Me shumë mundësi, me këto paraqitje, unë do ta zgjas kontratën me ekipin e Gharbit”.
Ky ekip aktualisht ndodhet në vendin e katërt në renditje, vend në të cilin është ngjitur falë fitoreve të fundit, të ardhura nga golat e shënuar nga shqiptari Shkjau i cili nuk e ka përvojën e tij të parë në këtë vend.
Më parë ai ka luajtur edhe me Siggiewit, ndërkohë që në Shqipëri dy sezone ka qenë pjesë e Vllaznisë dhe po ashtu ka luajtur edhe me Adën.
Gjergj KOLA