Ekipet sportive në Shkodër padyshim që i kanë dhuruar këtij qyteti shumë trofe. Në të gjitha llojet e sportit.
Jo më kot, ky qytet dhe Vllaznia janë krenaria e sportit shqiptar. Pasditen e nesërme atyre do t’i shtohet me shumë të ngjarë edhe një tjetër trofe.
Bëhet fjalë për atë të Kupës së Shqipërisë në futboll për femra. Vllaznia konsiderohet favorite për të fituar ndaj finalistes tjetër, Tirana AS në ndeshjen që do të nisë në orën 14.00 në “Elbasan Arena”.
Vërtetë vajzat kryeqytetase kanë dëshirë dhe objektiv për të qenë ato fituese të kupës por shanset janë të pakta që të ndodhë kjo.
Diferencat në mes dy ekipeve janë të dukshme dhe kjo pritet të reflektohet edhe në fushën e lojës.
Vllaznia femra, një ekip model i ndërtuar nga presidenti Lazer Matia, synon të fitojë të pestën kupë në po kaq sezone.
Po t’i shtosh edhe katër titujt kampion që ka fituar, numri i trofeve që ky ekip i ka dhuruar Shkodrës dhe klubit Vllaznia do të shkojë në nëntë.
Padyshim që Kupa e nesërme nuk do të jetë e fundit. Ky ekip do të vazhdojë të jetë krenaria e këtij qyteti, ashtu si ai i boksit, atletikës etj.
© shkodrasport.com