Florent Hasani men don se presioni është te Dinamoja e Batumit, ndërsa për Tiranën është avantazh që luhet jashtë fushe. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi i bardhebluve analizoi kundërshtarin si dhe pranoi se Tirana mund të kualifikohet. Dëshira e Hasanit është që ta mbyllë me Tiranën, duke ecur sa më shumë në Europë. Kartoni i lojtarit vlerësohet 500 mijë euro.

Ai është futbollisti më i shtrenjtë i Tiranës. Po kështu, këtë kampionat, veç 19 golave, Hasani që është 26 vjeç, në 42 takime në kampionat ka dhënë 8 asiste, si dhe ka qenë në fushën e lojës 3381 minuta. Hasani është edhe golashënuesi i kampionatit shqiptar me 16 gola, ndonëse nuk luajti ndeshjen e fundit. Për të zëvendësuar Hasanin, Tirana i ka marrë masat. Ajo ka firmosur me Liridon Latifin, që prej një muaji është pjesë e bardhebluve.

hasani

Barazuat me Dinamon 1- 1 në fushën tuaj. Si e patë ndeshjen e parë me Batumin?

Ndeshja me Dinamon e Batumit ishte e vështirë. Dhe është normale në këto kushte. Gjatë kompeticioneve europiane nuk ka ndeshje të lehta. Mendoj se i kemi vlerësuar shumë mirë kundërshtarët. Në mendimin tim është ekip që kanë kualitet në grup. Nga ana jonë mund të them se kemi bërë një ndeshje të mirë.

Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë Tirana në këtë sfidë të dytë europiane?

Kemi analizuar me kujdes sfidën e parë dhe kundërshtarin. Do të bëjmë disa përmirësime të vogla. Gjithçka mbetet e hapur për sa i përket ndeshjes së dytë. Shpresoj që të fitojmë dhe të kualifikohemi. Shpresoj që të bëjmë ndeshjen e duhur dhe të shpërblejmë tifozët me një kualifikim.

Ju thoni që kërkoni kualifikimin, por sa i arritshëm është ky kualifikim për në turin e dytë?

Unë them që kemi mundësi reale që të kualifikohemi. Kemi besim që do t’ia dalim. Kemi besim te forcat tona, ashtu siç mendoj dhe e përsëris që kemi kualitet në grup dhe një ekip shumë të mirë.

Në ndeshjen e parë mendoni se barazimi ishte i duhuri apo ishte një surprizë për ju kundërshtari?

Mendoj që ishin skuadra që mendonim. E dinim saktësisht forcën e tyre. Janë skuadër e mirë. Edhe ata kanë pluset dhe minuset e tyre, që do të shihen edhe në vazhdimësi.

Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e skuadrës suaj në këtë ndeshje të dytë?

Avantazhi që ne kemi është fakti që nuk kemi presion. Grupi është i qetë. Stafi po mundohet që të mbajë grupin e qetë dhe pa presion. Në fushë do të tregojmë veten individualisht dhe si skuadër. Disavantazh nuk kemi në këtë ndeshje. Edhe pse të luajmë jashtë është avantazh.

Tani një pyetje që bëhet gjithmonë. Ku do ta shohim Florent Hasanin pas Europës?

Si fillim të shkojmë sa më larg në ndeshjet europiane. Pasi të mbarojmë këtë aventurë do të shohim…