Një nga njerëzit që ka themeluar sportin e xhudos në vendin tonë, një nga aktivistët dhe propoganduesit më të mëdhenj të tij, është shfaqur shumë I shqetësuar dje. Anton Shkoza, njeriu që mban titullin mjeshter 6 Dan, është ndjerë I fyer nga drejtuesit aktualë të Federatës Shqiptare të Xhudos për mosthirrjen në Asamblenë Zgjedhore të zhvilluar tre ditë më parë ndonëse ai mban postin e presidentit të nderit të kësaj Federate.
Po ashtu, ai e sheh si shumë shqetësues faktin që tre ekipe dhe shoqata sportive që janë anëtare me të drejta të plota të kësaj Federate, nuk janë ftuar fare të marrin pjesë në Asamblenë e zhvilluar. Në kushte të tilla, mjeshtri Shkoza ka kërkuar të ngrejë zërin. Ka shkuar deri në Ministrinë e Sporteve teksa ka patur takim me zëvendësministrin Bajaziti të cilit I ka kërkuar mosnjohjen e zgjedhjeve. Po ashtu I ka shkuar edhe Federatës Europiane të Xhudos (IFJ) për të reaguar edhe ajo. Zemërimi I tij duket qartë. Mënyra sesi drejtuesit aktualë të Federatës kanë dashur ta anashkalojnë një person të tillë dhe klubet që ai përfaqëson, e kanë shqtësuar së tepërmi. Këtë e bën të ditur edhe për gazetën “Shkodra Sport” kur është shprehur: “U befasova kur vetëm përmes medias mësova se ishte zhvilluar Asambleja e Federatës Shqiptare të Xhudos. Kjo ngaqë ekipet e Vllaznisë, Vau Dejësit dhe klub judo “Anton Shkoza’ që janë anëtarë me drejta të plota të kësaj federate, nuk kishin marrë asnjë ftesë për këtë asamble, aq më tepër që ajo ishte zgjedhore. E kam të qartë se “lufta” ka qenë kundër meje personalisht por mosnisja e ftesës për këto klube që tash 20 vite udhëheqin sportin e xhudos dhe janë ekipet kampione, është diçka e qëllimshme. Çfarëdo problemi që këta drejtues kanë patur me mua, është Asambleja, organi më I lartë që analizon, bën bilancin e punës dhe gjitha gjërat e tjera. Mosnisja e ftesës edhe për mua personalisht si themelues I këtij sporti, si trajner I Vllaznisë, si president I Akademisë Judo Kodokan Albania, si drejtor teknik I kësaj Federate dhe si anëtar I Këshillit Kombëtar të Sportit, është diçka e qëllimshme”. Anton Shkoza nuk ka ndër mend ta ndalë këtu protestën e tij. Ka lajmëruar Ministrinë dhe Federatën Europiane dhe me shumë mundësi, zgjedhjet do përsëriten. Shkoza nuk ka asnjë dëshirë të marrë postet drejtuese në Federatë por I dhimbset ky sport prandaj dhe kërkon ta mbrojë deri në fund nga njerëzit që duan ta shkatërrojnë atë. Drejtues aktual të kësaj Federate, janë shprehur në media se z. Shkoza nuk ka asnjë funksion por në fakt nuk është kështu dhe ai e bën të qartë këtë: “Kam disa funksione në këtë sport. Le pastaj që nuk janë çuar ftesat për tre klubet dhe shoqatat që përmenda më lart por edhe ndaj meje personalisht kanë detyrime. Drejtoj një Akademi që është baza e zhvillimit të këtij sporti në vendin tonë, ku bëhen edhe kualifikimet e të gjithë mjeshtrave. Pjesë e kësaj Akademie që e ka njohur ligjërisht edhe sekretari Çapo, janë ekipet e Vllaznisë, Vau Dejësit, klub judo “Anton Shkoza”, Besëlidhja dhe fondacioni “Santa Maria” në Lezhë. Gjithë këto ekipe e shoqata nuk mund të anashkalohen kollaj dhe prandaj mbes në pritje të përgjigjes së z.ministrit Bajaziti për përsëritjen e zgjedhjeve. Vetëm kaq kërkoj unë dhe klubet që përfaqësoj dhe besoj se kjo është e drejta jonë ngaqë nuk jemi ftuar në Asamblenë e zhvilluar pak ditë më parë”.
Gjergj KOLA