Vasil Shkurtaj është një nga lojtarët prej të cilit Kukësi pret shumë, pasi është “pyka” në sulm. Duket se me kalimin e javëve po vijnë edhe golat dhe sulmuesi po e bën më së miri detyrën e tij, duke shkuar në kuotën e dhjetë golave këtë kampionat. Dopieta ndaj Teutës, edhe pse me penallti, tregoi gjakftohtësinë e tij në momente vendimtare.
Në prononcimin e tij për “Panorama Sport” pas ndeshjes, Shkurtaj tregohet altruist, duke iu gëzuar më së shumti fitores së ekipit, sesa golave të tij. Për sulmuesin, më e vështira vjen tani, sepse duhet mbajtur vendi i parë, ndërkohë që kanë dy ndeshje të vështira me Vllazninë dhe Skënderbeun.
“Rëndësi ka që skuadra arriti të fitojë, më pas edhe për golat e mi jam i kënaqur. Por, më e vështira vjen tani, sepse mund të ngjitesh në krye, por duhet ta mbash atë pozicion. Duhet të vazhdojmë me këtë ritëm, pasi kemi dy ndeshje të vështira me Vllazninë dhe Skënderbeun, ku shpresojmë t’ia dalim edhe në këto përballje”, u shpreh fillimisht 27-vjeçari.
SULMI “3J” – Në ndeshjet e fundit ka rënë në sy shpërthimi i sulmuesve: Shkurtaj, Abazaj dhe Gavazaj (ose siç po njihen më së shumti me nofkën “3J”, për shkak të shkronjës së fundit të mbiemrit). Megjithatë, vlonjati i delegon meritat tek i gjithë ekipi dhe jo vetëm te sulmuesit, pasi të vetëm nuk do të mund të bënin asgjë, edhe pse janë ata që bien në sy, për shkak se shënojnë golat.
“Sa i përket ‘3J’, ne në çdo ndeshje bëjmë maksimumin për ekipin, por nuk jemi vetëm ne, sepse mbrapa është një ekip që luan dhe bën më të mirën. Ndonjëherë bie në sy ai që bën golin, por kanë të gjithë pjesën e vet në një skuadër”, vijoi më tej Vasil Shkurtaj.
“KËPUCA E ARTË” – Duket se këtë sezon Shkurtaj do të ketë një duel të fortë me sulmuesin e Laçit, Nuabuezen, sa i përket golashënuesit të kampionatit. Si një sulmues, mendon edhe këtë trofe personal, por nuk është aspak i fiksuar. Për të, ka rëndësi të arrijë skuadra trofetë dhe më pas të shihen arritjet e tij personale.
“Patjetër që e mendoj edhe ‘Këpucën e Artë’, sepse jam një sulmues dhe kam detyrë të bëj gola. Por, nuk është se jam i fiksuar me këtë gjë, sepse në futboll kanë rëndësi rezultatet e skuadrës dhe më shumë mendoj të marr trofe me skuadrën, sesa trofe personal. Unë dëshiroj të shënoj në çdo ndeshje dhe nëse në fund do ta marr këtë trofe, mirë se të vijë”, përfundoi sulmuesi i Kukësit, i cili ka shkuar në kuotën e 10 golave, pas Nuabuezes që ka shënuar 14.