Mesfushori kombëtares së Bullgarisë, Ivajlo Çoçev, njëkohësisht edhe shok skuadre me mbrojtësin shkodran Erdenis Gurishta te CSKA 1948, në konferencën për shtyp para miqësores me Shqipërinë ka përkrahur trajnerin Mladen Krastaiç.

Sipas mesfushorit 30-vjeçar, testi me Shqipërinë është një mundësi e mirë ku lojtarët e rinj të tregojnë veten. Padyshim lajtmotivi i konferencës së bullgarëve ka pasur të bëjë me situatën e krijuar në Kombëtare pas humbjes së fundit me Lituaninë.

“Unë nuk mendoj se i gjithë faji duhet të bjerë mbi trajnerin dhe stafin teknik. Ata e bëjnë punën e tyre në mënyrë perfekte. Çfarëdo që kërkohet prej tyre, ata e bëjnë. Pjesa më e madhe e fajit është mbi ne. Nuk fituam disa ndeshje dhe dështuam kundër Lituanisë. Pas kartonit të kuq gjërat ndryshuan, ai ktheu lojën.

Është normale të kemi kritika kur kemi humbur një ndeshje dhe nuk kemi luajtur mirë. Ndodh kudo në Botë. Kritikat nuk duhet të jenë vetëm kundër stafit stërvitor. Ne, si burrat, duhet të marrim përgjegjësi dhe t’i marrim këto kritika. Për të rinjtë, mund të jetë më e vështirë. Por nesër, me një ndeshje të mirë ndaj Shqipërisë, të rinjtë mund të rifitojnë besimin”, u shpreh Ivajlo Çoçev në konferencën për shtyp.