Kukësi ka nisur punën për riparimin e skuadrës në merkaton e dimrit dhe deri më tani ka larguar gjashtë futbollistë me synimin për të krijuar hapësira për afrimin e disa lojtarëve të tjerë. Supersport mëson se Vitor Feijao do të jetë afrimi i parë i Kukësit në këtë merkato dimërore.

Braziliani u transferua te Shakhtyor Soligorsk në verë bashke me mesfushorin e Vllaznise Ardit Krymi dhe te dy u shpallen kampion me kete skuader. Sulmuesi brazilian u pat larguar në formë huazimi nga Kukesi me të drejtë blerjeje, por klubi bjellorus vendosi të mos e ushtrojë të drejtën. Asokohe klubi kuksian mori 50 mijë euro, shumë që do të rritej nëse do të aplikohej e drejta e blerjes.

Sezonin e kaluar te Kukësi, Feijao u aktivizua në 32 ndeshje, 29 prej tyre si titullar. Ai ishte një nga pikat e forta të verilindorëve, duke shënuar 6 gola e duke dhënë 4 asiste.

26-vjeçari latin pritet që të udhëtojë drejt Tiranës në ditët e ardhshme. Lojtari aktualisht ndodhet në Brazil, ku është kthyer pas 2 vitesh për të kaluar disa ditë pushime, ndërkohë që kontrata e tij me Kukësin mbaron në qershor të këtij viti.

Gjasat janë që me të mbërritur në kryeqytet, drejtuesit t’i ofrojnë një kontratë të re lojtarit, pasi në sezonin e tij të parë arriti që të bindte me paraqitjet e tij.