Shoqata e Arbitrave ka reaguar në lidhje me ngjarjen e Vlorës dy ditë më parë, ku u godit një nga arbitrat e ndeshjes Flamurtari-Vllaznia.
Shoqata kërkon dënim për Flamurtarin, jo thjesht në aspektin sportiv, por kërkon edhe ndërhyrjen e autoriteteve.
DEKLARATA
Dhuna e ushtruar në stadiumin e Vlorës në përfundim të ndeshjes Flamurtari-Vllaznia, ku arbitri i ndeshjes dhe zyrtarët janë goditur nga persona pranë Presidentit të klubit dhe nën shoqërinë e tij,
për fat të keq rregjistron një tjetër akt shumë të dënueshëm, antisportiv karshi arbitrave të futbollit.
Shoqata e Arbitrave të Shqipërisë e denoncon me forcë këtë ngjarje të shëmtuar dhe shumë të rëndë, e cila vjen pas një presioni në rritje javë pas jave karshi arbitrave në fushat e futbollit, dhe jo vetëm.
Ne kërkojmë zbardhjen e plotë të ngjarjes në Vlorë nga ana e Autoriteteve përkatëse për të identifikuar dhe shpënë përpara përgjegjësisë personat që goditën arbitrin Ilir Tartari dhe zyrtarët e ndeshjes.
Këto akte aspak civile dhe tepër të dënueshme kërkojnë ndëshkim, jo vetëm nga drejtësia sportive.
Asnjë gjë nuk mund të përligjë kurrsesi përdorimin e dhunës karshi arbitrave e kujtdo në një ambjent sportiv.
Presioni i vazhdueshëm psikologjik karshi arbitrave këtë radhë në Vlorë degradoi në dhunë fizike dhe ky rast ekstrem kërkon ndëshkim maksimal për ideatorët dhe autorët e tyre.