Nga Maringlen ZHIVANI

Shoqata sportive “Monogoal”, pas një angazhimi intensiv tre-vjeçar në basketboll dhe prej një viti në volejboll për femra, ka zgjeruar aktivitetet e saj, duke hapur tashmë edhe rregjistrimet për futboll për grup-moshat U-7 deri në U-13. Seancat e para stërvitore do të nisin në ditët në vazhdim, ku ato do të kryhen në ambientet e kalçeto “Bushati”.

Në fakt, ka qenë një bashkëpunim midis ish-futbollistit dhe tashmë arbitrit Noris Kozmaj dhe drejtuesit të Shoqatës “Monogoal”, Herion Faslija, të cilët kanë bërë të mundur krijimin e këtyre ekipeve futbolli për grup-moshat U-7 deri në U-13. Në krye të këtyre ekipeve pritet të jenë emra të njohur të futbollit shkodran, të cilët do të zbulohen në ditët në vijim.

Pikësynimi i drejtuesve të Shoqatës sportive “Monogoal” është rritja dhe zhvillimi i sportistëve, në mënyrë që më pas ata të vijojnë karrierën e tyre pse jo edhe në ekipe të tjera profesioniste. Vitet e fundit, Shoqata Sportive ka dërguar gjashtë basketbollistë të talentuar në ekipet e moshave të Vllaznisë në basketboll.

Deri më tani, gjatë këtij viti, rreth 80-fëmijë janë pjesë e programeve të basketbollit, ndërsa rreth 25-vajza kanë marrë pjesë në volejboll, duke kontribuar në këtë mënyrë në zhvillimin e sportit në qytetin e Shkodrës. Kjo organizatë, e themeluar nga ish-basketbollisti i Kombëtares dhe Vllaznisë, Herion Faslija, synon të jetë një force kyçe në promovimin dhe zhvillimin e sportit për të rinjtë në Shkodër, ku tashmë ekipet më të reja që do të krijohen janë pikërisht ato të futbollit.
Maringlen ZHIVANI