Ditën e djeshme janë përcaktuar katër skuadrat që do të vijojnë rrugëtimin e tyre për fitimin e Kupës së Shqipërisë të këtij sezoni dhe ato janë pikërisht Egnatia, Kukësi, Tirana dhe Vllaznia.
Për përcaktimin e çifteve gjysmëfinaliste do të hidhet short i lirë ndërmjet katër ekipeve të kualifikuara në këtë tur. Ndeshjet do të luhen me sistem vajtje-ardhje, me dy takime. Sfidat e para gjysmëfinale do të zhvillohen më datë 3 prill ndërsa takimet e dyta më datë 24 prill.
Në ditët në vazhdim do të bëhet e ditur se kur do të hidhet shorti për fazën gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, por me shumë mundësi kjo do të ndodhë javën e ardhshme.
I pyetur në lidhje me ndonjë preferencë për emrin e kundërshtarit me të cilin do të donte të ndeshej në gjysmëfinale, trajneri i Vllaznisë Qatip Osmani është shprehur: “Ne nuk kemi ndonjë preferencë për emrin e kundërshtarit. Kushdo që do të na bjerë, sigurisht që objektivi jonë do të jetë për ta kaluar dhe për të shkuar në finale të Kupës”./www.shkodrasport.com/