Nga lojërat me dorë, Kampionati i volejbollit për femra do të jetë i pari që do të fillojë për sezonin e ri 2011-2012.

Shorti për këtë vit është hedhur në Federatën Shqiptare të Volejbollit nga ku ekipet janë njohur me kundershtarët për sezonin e ri. Kampionati i Volejbollit për femra do të fillojë me 24 shtator nga ku do te luaj edhe takimin e parë. Pjesë e Kategorisë së të rriturave këtë vit do të jetë edhe Vllaznia. Skuadra shkodrane rikthehet pas 20 viteve me të rriturat falë punës këmbëngulëse të trajneres Sadije Goga e seriozitetit të vajzave me një moshë relativisht të re të cilat gradualisht arritën që nga pjesëmarrja me të rejat të kalojnë në Kategorinë e parë duke realizuar një dëshirë që pritet prej shumë kohësh në Shkodër. Skuadra shkodrane do ta fillojë sezonin në pallatin e sportit “Qaim Dërvishi”. Në javën e parë vajzat e volejbollit do të presin ekipin e Teutës me 24 shtator ndërkohë që pas një jave sërish do të luajnë brenda kësaj here me Korabin. Duke qenë se dy takimet e para zhvillohen në Shkodër, Vllaznia do të kërkojë dy fitoret e para për ta nisur mbarë Kampionatin. Natyrisht që nuk do të jetë shumë e lehtë për të arritur rezultate pozitive sepse vajzat e reja, pavarësisht dëshirës dhe përkushtimit në seancat stërvitore, nuk e kanë eksperiencën e duhur për tu përballur me të rriturat. Megjithatë kanë në objektiv një përfaqësim dinjitoz dhe do të provojnë të gjejnë fitoren. Këtë sezon me të rriturat përveç Vllaznisë është rikthyer edhe Divjaka ndërsa ditët e fundit është tërhequr skuadra e Lushnjes për mungesë fondesh. Në këtë mënyrë në kampionat do të marrin pjesë 9 ekipe të cilat fillimisht do të zhvillojnë dy fazat dhe më pas do të përcaktohet nëse do të ketë edhe një fazë të tretë apo do të luhet menjëherë për titullin kampion në zonën “Play Off”.