Sinan Idrizi shpërthen pas Vllaznisë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, administratori e cilësoi të turpshme humbjen. Ai i ka kontestuar edhe vendimet e trajnerit.

“Ishte e turpshme ajo që ndodhi. Nuk mund që të humbasësh në këtë farë feje. Unë jam pa fjalë, ishte skandaloze. Çfarë ishte ai gol i dytë i pësuar! Nuk e kuptoj. Unë nuk futem në anën teknike dhe as në formacionin që trajneri hedh në fushë.

Më bëri përshtypje ku ishin lojtarë si Bajraktareviç apo të tjerë? Pse nuk luante Bajraktareviç, që është ndër më të paguarit? Pse ishte në tribunë? Dua të pyes se nuk e kuptova, po Rrapajn pse e nxori trajneri? Nuk e di, por me pak fjalë ishte turp i madh”, u shpreh Idrizi.

Dritan Sadedini sot rrezikon të shkarkohet. Një fakt të tillë la të kuptohej administratori. Ai do të zhvillojë sot një mbledhje me trajnerin ku pritet t’i komunikojë largimin, por gjasat janë që të thërrasë edhe lojtarët, për t’u dhënë edhe atyre përgjegjësitë përkatëse.

“Nuk shtyhet më kështu. Sot do t’i mbledh e do t’u jap dorën. Do t’i falënderoj për bashkëpunimin. Më duket se nuk ka sens më. Më thoni kur kemi qenë kaq keq? Do të ketë masa. Shikojini nesër (sot)”, përfundoi ai.

Ende pa u shkarkuar Dritan Sadedini, që gjasat janë të ndodhë sot, në Vlorë po mendojnë për pasuesin. Mbrëmë vonë është përfolur si kandidat i mundshëm Artan Sakaj. Dhe duket si një rrotacion pankinash. Në një kohë që Eqerem Memushi i zuri vendin te Orikumi, ndërsa ai shikohet si trajner i ri i Flamurtarit.