Përfaqësuesja e Kosovës ka luajtur mbrëmjen e djeshme një ndeshje shumë të rëndësishme kundër Bullgarisë, ku nuk ka shkuar më shumë se një barazim.
Në stadiumin “Fadil Vokrri” në mesin e shumë tifozëve të pranishëm në tribunën VIP ishin dhe shumë politikanë. Hashim Thaçi, Fatmir Limaj, Fatmir Sejdiu, Shpend Ahmeti, Ramush Haradinaj, Abelard Tahiri, Kujtim Gashi e Uran Ismaili ndoqën nga afër përfaqësuesen.
Por, Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu ka kritika të shumta ndaj këtyre politikanëve, të cilët hyrën në stadium pa biletë.
Në një intervistë për “Zëri”, Eroll Salihu ka folur mbi këtë gjë. “Ajo që është shqetësuese është puna e biletave, pasi kemi shumë probleme. Jemi duke e shqyrtuar që të gjitha biletat të dalin në shitje që edhe punëtorët e Federatës ti blejnë ato.
Ka shumë shpenzime për VIP, shumë institucione lajmërohen për bileta dhe ne nuk mundemi të vazhdojmë kështu. Po mendojmë një zgjidhje tjetër”, ka thënë Salihu, i cili dje e ka parë ndeshjen në kushte shumë të vështira.
Ndërkaq ai ka shtuar: “Po shqyrtojmë mundësinë që të gjitha biletat VIP t’i bëjmë me pagesë dhe kush do të vij. Është e pandreqshme që dikush të vijë dhe të kërkojë bileta në emër të institucionit”.