Besa kalon me barazim ndaj Apolonisë. Takimi i luajtur dje në “Niko Dovana”, për llogari të finaleve të “play off”-it, si mundësia e dytë dhe e fundit për t’u ngjitur në elitë midis Besës dhe Apolonisë, u mbyll në shifrat 1-1. Fierakët “flirtuan” me fitoren, pasi kaluan të parët në avantazh me sulmuesin Maksuti në minutën e 75-të, por ky takim u vendos nga qendërmbrojtësi Abdulai, që realizoi golin e barazimit në minutën e 86-të.

Sipas rregullores, barazimi është rezultat i duhur për kavajasit dhe vlen kualifikimin në finalen tjetër të “play off”-it, duke qenë se Besa renditej më mirë dhe i jepte komoditetin e dy rezultateve. Tani, Besa luan ndaj Pogradecit në fushë asnjanëse.

Kavajasit kontestuan shumë gjykimin, pasi pretenduan për një penallti të mohuar, si dhe për pozicion të parregullt te goli i Maksutit. Trajneri Emiljano Çela, në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, pohoi se me një vlerësim më të mirë, me praninë e teknologjisë, Besa do ta kishte më të lehtë. Kavajasit “qajnë” një penallti të padhënë në fillim të ndeshjes.

“Shpesh na thojnë që mos fol, por në këtë vend të shplas shpirti po nuk fole. Vjen një ndeshje pa respektin e duhur, pa VAR, është absurde, ishte penallti e pastër, që në fillim të lojës që jam i sigurt nëse do ishte penallti cdo gjë do ishte një përballje formale. I përgëzoj lojtarët për shpirtin e garës, për sakrificat, krijuan shumë raste të pastra shënimi deri sa gjetëm golin e barazimit. Sinqerisht nuk jam i gëzuar për kualifikimin. Të gjithë kundërshtarët janë për t’u respektuar, edhe Burreli po të ishte.

Duhet ta motivojmë ekipin që të ketë adrenalinë e duhur, për të përjetuar këto lloj ndeshjesh, jemi më inferiorë nga kjo pjesë sepse jemi shumë të zhgënjyer nga fakti sesi shkuan gjërat në fund që nuk patëm ngjitjen direkte në Superiore. Ndihemi të vjedhur, ndihemi sikur nuk na është dhënë djersa. Ashtu siç u ndjemë edhe ndaj Apolonisë, megjithatë do të bëjmë formalitetin, do paraqitemi, ishalla na vjen VAR-i.” u shpreh Emiljano Çela.