Xhani Infantino, presidenti i FIFA-s, ka folur së fundi për spanjollen “Marca” në lidhje me vendimin për ta luajtur finalen e dytë të Kupës Libertadores në Madrid. Ai ka shpërthyer dhe ka theksuar se disa persona të papërgjegjshëm nuk mund ta prishin futbollin:
“CONMEBOL analizoi situatën dhe arriti në konkluzionin që ndeshja River-Boka të luhet në Madrid. Ishte zgjidhja e vetme. Presidentët e Realit dhe të Atletikos u treguan të gatshëm menjëherë. Është një rast i jashtëzakonshëm dhe kërkon masa të jashtëzakonshme. Nuk ishte vendimi im, thjesht ndihmova CONMEBOL-in në një moment të vështirë.
Në një moment u mendua se do të luhej në Buenos Ajres, sepse dukej diçka korrekte. Gjithmonë është më mirë që ndeshja të luhet. Ishin 60 mijë tifozë në stadium, gjithë vendi dhe gjithë bota gati për lidhje direkte.
Katër idiotë që hedhin gurë nuk mund të ndalojnë futbollin. Ishin më shumë se 4, 40, 400? Pak rëndësi ka. Janë gjithmonë idiotë. Kur morëm vesh se disa lojtarë nuk ishin në gjendje të luanin, vendosëm për shtyrjen.
Po shoh shumë dhunë, njerëzit duhet të qetësohen. Duhet t’u japim shembullin fëmijëve, por ato pamje nuk na ndihmojnë. Është vetëm një ndeshje futbolli. E rëndësishme? Po, sigurisht: kush fiton do të tallet me kundërshtarin për 100 vjet. Por mbetet një ndeshje, jo një luftë. Nuk është vetëm një problem i Argjentinës”, – tha Infantino. / Vipsport/