Laçi u mposht sot 1-4 në “Elbasan Arena” nga moldavët e Petroclub, duke bërë që të largohen nga Conference League në turin e dytë. Avantazhi i Mazrekaj në pjesën e parë dhe dominimi në 45 minuta nuk ka qenë i njëjtë në pjesën e dytë, me trajnerin Shpëtim Duro që për Supersport pranon se të tijtë u shpërfyturuan në pjesën e dytë.


“Fituat pjesën e parë dhe patët raste të mbyllnit ndeshjen, por çfarë ndodhi më pas?

Nuk kam fjalë për ta përshkruar këtë humbje, Në pjesën e parë ishim në avantazh dhe pjesën e dytë e nisëm mirë. Patëm raste për të bërë edhe golin e dytë, por pas golit të barazimit, u shpërfytyruam totalisht. Ishim të dërrmuar psikologjikisht dhe ishte një humbje e turpshme, por nuk di si t’i shpjegoj 30 minutat e fundit.

Në katër ndeshje keni shënuar vetëm dy gola, të dy me Mazrekajn. A prisnit diçka më shumë nga sulmuesit e tjerë?

Komplimente për Mazrekajn, që edhe sot ishte protagonist. Edhe në disavantazh ishte i vetmi që luante futboll. Adeleke mund të mos tregohej aq egoist, pasi duhej të mbyllnim ndeshjen, por edhe këto episode ndikojnë ne fatin e një takimi.

A ndikoi fakti që nuk kishit asnjë nga treshja e mesfushës së sezonit të kaluar?

Ajo ishte një treshe shumë e konsoliduar dhe sot u detyrova të luaj me Zarubicën në pjesën e dytë, pasi mungonte edhe Spahiu për shkak kartoni. Babatunde e justifikoi pjesën e parë, por vuajti në të dytën. Është mesfushë e improvizuar dhe besoj që aty është pika jonë më e dobët”, tha Duro.