Trajneri Shpëtim Duro është paraqitur sot në stërvitje dhe ka drejtuar seancën e parë për vitin 2013 në krye të kuqebluve. Pavarësisht zërave që e shohin gjithnjë e më larg Vllaznisë, ai edhe njëherë tjetër ka treguar se nuk ka ndër mend të largohet vetë prandaj dhe ka thënë: “Unë kam vazhduar dhe po vazhdoj punën me skuadrën. Këto janë probleme të drejtuesve aktualë apo dhe atyre që mund të vijnë në krye të Vllaznisë. Ata kanë të drejtë të përzgjedhin se me kë duan të punojnë. Nuk jam ndikuar nga kjo gjë por kam vazhduar në mënyrë profesionale punën me skuadrën.
Nëse largohem nga Vllaznia, sigurisht që do të punoj diku tjetër sepse jam trajner profesionist. Kjo është e drejta ime apo dhe gjithë trajnerëve. Unë jam I qetë në punën time por ekziston shqetësimi se duhet të ndërtohet skuadra për fazën e dytë e cila do jetë shumë shumë më e fortë se e para. Prandaj dhe Vllaznisë I duhen blerje cilësorë. Kam parë në gazetë se lakohet emri I Gilman Likës. Këtë lojtar unë kam gjashtë muaj që e kërkoj ta kem në skuadër. Kur kam thënë se dua lojtarë cilësorë, lojtarë të tillë si Lika, Dushku, Pejiç e ndonjë tjetër kam dashur. Në pamundësi të ardhjes së tyre, erdhën të tjerë futbollistë kuptohet jo në nivelin e tyre. Drejtuesit atë që po kërkojnë të bëjnë tani, ta kishin bërë që në verë dhe skuadra do kishte qenë shumë më mirë”. Por më shumë sesa për largimin, trajneri Duro u ka bërë thirrje drejtuesve aktualë dhe atyre që mund të vijnë se duhet të shpejtojnë me merkaton. “Për programin stërvitor nuk jemi të vonuar por për ndërtimin e skuadrës jemi shumë shumë të vonuar. Kur thashë që duhen katër lojtarë cilësorë, kuptohet që kjo është domosdoshëri, plus pastaj ku do gjenden dhe si do gjenden. Por situata nuk duket shumë e mirë. Mendohet të vijnë në krye të klubit një grup donatorësh që edhe ata duhet të shpejtojnë për të plotësuar ekipin. Nëse jo, atëherë duhet të ulemi sa më shpejt me drejtuesit e Bashkisë për të bërë planet se çfarë duhet të bëjmë., të shohim cilët futbollistë duhet të vijnë. Në këtë aspekt pra themi se jemi shumë shumë vonë”- ka thënë ai. Tashmë gjërat janë të qarta dhe në dy ditët e ardhshme do priten zhvillime të reja në këtë drejtim.
www.shkodrasport.com