Puna ka nisur prej ditësh dhe ndonëse ende nuk është konkretizuar, shpresat janë të mëdha që Vllaznia do të gjejë lojtarët e duhur në merkato. Këtë besim ka edhe trajneri Shpëtim Duro. Ai ka qenë pardje në Shkodër, me një mision tjetër por sigurisht që ka patur edhe një takim me stafin e tij dhe drejtues të klubit duke biseduar pikërisht për ndërtimin e skuadrës. Natyrshëm, ai, Sinani dhe të tjerët kanë ngritur shqetësimin e gjetjes së lojtarëve të duhur në këtë periudhë megjithatë vetë Duro nuk është dukur dhe aq pesimist për të ardhmen. I pyetur për këtë çështje, ai është përgjigjur kështu për mediat: “Natyrisht që nuk është e lehtë të gjesh lojtarë cilësorë në këtë periudhë.
Mund të them se me drejtuesit e Vllaznisë kemi bërë një punë kolosale gjatë këtyre ditëve. Kemi takuar shumë futbollistë, kemi biseduar me ta duke parë mundësinë e veshjes kuqeblu të tyre. Sigurisht që nuk është e lehtë kjo gjë sepse shumica e këtyre lojtarëve janë të angazhuar me skuadrat e tyre në Kupat e Europës dhe prandaj na duhet të presim edhe disa ditë. Kuptohet që skuadra nuk është e plotë në këto momente dhe ne nuk jemi të qetë por kemi shumë besim se do të gjejmë lojtarët e duhur”. Një deklaratë e përciptë. Thjesht për të konfirmuar faktin që po punohet për ndërtimin e skuadrës por ka dhënë asnjë emër. Kjo ngaqë Duros nuk I pëlqen kjo gjë sepse shpeshherë edhe abuzohet me të tilla gjëra prandaj dhe shton: “Nuk kam dëshirë të jap emra përderisa nuk kemi asnjë marëveshje të arritur deri në këto momente. E di që lakohen çdo ditë emra në media, natyrisht që ka edhe abuzime në këtë drejtim megjithatë jemi në pritje të zgjidhjes së gjërave ashtu siç duhet dhe prandaj preferoj që sërish të mos jap asnjë emër përderisa nuk është firmosur kontrata”. Trajneri I Vllaznisë nuk ka dhënë emra dhe kjo mund të jetë normale megjithatë çdo ditë në media lexon prononcime të futbollistëve të ndryshëm që deklarojnë bisedat me krerët e këtij klubi. Në Shqipëri shumë gjëra nuk mund të mbahen fshehur dhe kjo ndoshta është një nga vështirësitë kryesore të merkatos së skuadrave. Megjithatë skuadra shkodrane është duke bërë maksimumin për t’u plotësuar me lojtarët e duhur. I pyetur nëse ka marrë garancinë financiare nga drejtuesit e Bashkisë për gjithë këto blerje dhe për punën që do bëhet për të ndërtuar një Vllazni pretendente, Shpëtim Duro do të shprehej: “Përderisa kemi nisur kontaktet me lojtarët, kjo do të thotë se garancia financiare nga drejtuesit e klubit na është dhënë. Shoh një predispozicion të kryetarit të Bashkisë, të nënkryetarit dhe të drejtuesve të tjerë të klubit për të bërë gjëra të mira në sezonin e ri dhe kjo më obligon edhe mua më tepër. E rëndësishme është që tani të gjejmë lojtarët e duhur. E kam të qartë se tifozët shkodranë presin të shohin një Vllazni të fortë, një Vllazni pretendente dhe për këtë duhet të punojmë fort të gjithë”. Në këtë mënyrë puna ka nisur por frutet e para të saj ende nuk janë dhënë. Ndoshta në ditët e ardhshme mund të kemi lajme të mira për merkaton kuqeblu.
Gjergj KOLA