Vllaznia nga fillimi I javës së kaluar ka nisur fazën përgatitore. Ajo po stërvitet me shumë seriozitet çdo ditë në Shkodër dhe gjërat duket se janë rregulluar më së miri deri tani. Kanë ardhur shtatë lojtarë nga merkatoja dhe po synohet I teti. Ai që do mbyllë përfundimisht ndoshta përforcimet e kuqebluve në prag të nisjes së sezonit të ri. Trajneri Shpëtim Duro e thotë hapur: Dëshira e tij ka qenë që të vinte Pejiç por ai e ka të qartë se kërkesat financiare të lojtarit janë të papërballueshme nga ana e klubit.

Si rrjedhojë, ka një alternativë tjetër dhe ai është Hysa. E ka përmendur vetë ai teksa pas seancës stërvitore të pasdites është shprehur:  “Kuptohet që Pejiçin do ta dëshiroja në skuadër. Për më tepër që I përshtatet plotësisht mënyrës si mendojmë të luajmë ne. Megjithatë duhet pranuar se kërkesat financiare të tij janë të larta dhe në kushte të tilla duhet të heqim dorë. Unë për këtë nuk fajësoj as drejtuesit e klubit që nuk mund të shpenzojmë më shumë sesa kanë të parashikuar në buxhetin e tyre. Në kushte të mosardhjes së Pejiç, natyrisht do tentojmë në lojtarë të tjerë. Pritëm të vinte për provë një sulmues boshnjak porn ë fund ai ndërroi mendje. Unë megjithatë kam një dëshirë tjetër: Hysën. Gjatë ditëve në vazhdim do kem edhe një bisedë të fundit me të dhe të shohim. Unë e dua në skuadër këtë futbollist dhe besoj se do të arrijmë të bëjmë disa gjëra të mira edhe në këtë fund-merkatoje për të gjetur sulmuesin e duhur”. Trajneri I kuqebluve e ka të qartë se dëshirat jo gjithmonë mund të bëhen realitet megjithatë ai është shumë I kënaqur nga mënyra si kanë shkuar gjërat gjatë kësaj periudhe. Në skuadër kanë ardhur shtatë lojtarë, që ai I konsideron të rëndësishëm dhe për më tepër, I konsideron blerje të goditura dhe me kosto të pranueshme për klubin.  “Kemi marrë deri tani shtatë lojtarë. Jam shumë I kënaqur me ardhjen e tyre sepse kanë qenë futbollistë të kërkuar nga ana jonë dhe në këtë mënyrë tani jam disi I qetë. Po punojmë me shumë përkushtim sepse mendoj se kemi ndërtuar një skuadër shumë solide dhe mbi të gjitha, besoj se e dini që edhe kostot financiare të këtyre blerjeve nuk kanë qenë në nivelin e atyre që shpenzon Skënderbeu apo Flamurtari ndërsa në kualitet nuk mendoj se janë më poshtë. Me gjetjen edhe të sulmuesit, jam shumë I bindur se kemi për të krijuar një Vllazni shumë kompetitive”- thotë më tej trajneri Duro. Gjërat deri tani duket se kanë shkuar mirë. Futbollistët stërviten me dëshirë dhe ajo që I ka bërë përshtypje trajnerit të Vllaznisë është ambjenti që e rrethon. Ai çdo seancë stërvitore ndjene dhe ngrohtësinë  e tifozëve, ndjen mbështetjen e plotë të drejtuesve të klubit për t’I krijuar të gjithë kushtet e duhura për stërvitje dhe po ashtu, vëren stërvitjen me shumë dëshirë edhe të lojtarëve të rinj. Duke folur për ta, Duro në fakt, ka dëshirë të evidentojë 2-3 prej tyre por pa dhënë emra. “Jemi duke punuar mirë me të gjithë grupin e lojtarëve, ata që kanë ardhur, të tjerët që kanë qenë në skuadër por edhe me lojtarët e rinj. Në skuadër janë 2-3 futbollistë të rinj, pa dashur t’I përmend emrat, të cilët më pëlqejnë jashtë mase. Megjithatë atyre u duhet punë për t’u rritur në mënyrë që të marrin përsipër”- thotë në fund tekniku kuqeblu.

Gjergj KOLA