Në takimin e nesërm ndaj Flamurtarit, pritet të ketë lëvizje në formacion, në sulm dhe në mbrojtje. Nga ajo që mësohet, dy sulmuesit kryesorë Hysa dhe Rexha mund ta nisin nga stoli ndeshjen e së shtunës ndaj vlonjatëve. Pritet që reparti t’i besohet Hajdarit, prej të cilit pritet shumë. Sakaq, një tjetër lëvizje do të ndodhë edhe në krahun e majtë të mbrojtjes, teksa nga minuta e parë do ta nisë Halim Begaj, i cili do të rikthehet si titullar pikërisht përballë së shkuarës, si vlonjat që është. Mbrojtësi do të jetë në fushën e lojës në vend të shkodranit Semina, i cili në fakt nuk është në gjendje të mirë fizike.
Por jo vetëm kaq, pasi lëvizja që pritet të aplikojë numri një i stolit vjen edhe prej performancës së mirë që Begaj ka dhënë para dy javësh, kundër Tiranës në “Loro Boriçi”. Ai, sipas trajnerit, ishte një nga pikat e forta të ekipit shkodran. Sipas të gjitha gjasave Duro kërkon që kundër Flamurtarit të hedhë të njëjtin ekip sikundër ndodhi me Tiranën. Loja e mirë e zhvilluar përballë bardhebluve, sidomos performanca dhe forma e Begajt, duke bërë jo vetëm detyrën e tij, por edhe ndihmuar mesfushën dhe sulmin, e kanë bindur Duro që t’i besojë. Mesa duket, nisur nga kjo lëvizje, tekniku do të forcojë mesin e fushës, ku pritet që të jetë edhe dyndja më e madhe e lojtarëve të skuadrës kuqeblu. Dragoi pritet të jetë në krahun e djathtë të këtij reparti, ndërsa në qendër do të jenë Dema, Nallbani dhe Belisha. Ndërkaq, me shumë mundësi, do të ketë një spostim të Begajt përpara, duke luajtur kështu me 5 lojtarë në mesfushë. Pa përjashtuar këtu edhe ndihmesën që do t’i japë këtij reparti në organizim malazezi Deliç, i cili pritet të luajë përkrah Hajdarit në sulm. Rexha dhe Hysa, këtë sezon në asnjë moment nuk e kanë justifikuar besimin e teknikut Duro, ndërsa mungesa e golave nga ana e tyre në këto 11 javë kampionat bën që Duro t’i ulë në stol. Për sa i përket repartit mbrojtës, së bashku me Vujadinoviçin në portë do të jetë edhe e treshja e palëkundur Smajli-Osmani-Beqiri. Me këtë formacion dhe me një mesfushë të dendur tekniku Duro dhe skuadra që ai drejton do të kërkojë fitoren ndaj Flamurtarit.
Admir URUÇI