I ka thënë apo jo trajneri Duro futbollistëv të keni turp për paraqitjen ndaj Apolonisë? Dilema e kësaj ka marrë një përgjigje ditën e sotme në një intervistë që trajneri i Vllaznisë ka dhënë për gazetën “Sport Ekspres”. Ai e ka mohuar ta ketë thënë këtë fjalë dhe këtë e shpjegon në intervistën e gjatë që ka dhënë për këtë gazetë. Ja shkrimi i plotë i botuar ditën e sotme:
Rituali është ai i zakonshëm, Duro, trajneri i Vllaznisë që zgjohet çdo mëngjes dhe nën kapuçinon e zakonshme rrufitet duke lexuar shtypin e ditës. “Deri këtu, jo”, ka menduar. Mediat kanë qenë gjithnjë për të një marrëdhënie respekti, aq sa shpesh ai ka punuar në TV. “Nuk i kam thënë askujt, “t’ju vijë turp!”,- tha Duro, duke ju referuar një të përditshmeje sportive,- asnjëherë! Unë nuk mund t’i them lojtarëve të mi, “t’ju vijë turp!” vetëm se barazuan një ndeshje futbolli. Çfarë duhet t’iu thotë Mançini lojtarëve të Sitit se dështuan të fitonin kundër Aston Vilës?”. Por, megjithatë Vllaznia ende nuk po funksionon, dhe Duro këtë e pranon.
– Lojtarët e Vllaznisë kanë qenë sot të irrituar, kur kanë parë se ju i kishit akuzuar se “nuk kanë turp”…
– Nuk është e vërtetë që unë jam shprehur ashtu. Unë dje nuk kam folur për asnjë media, për askënd.
– Por ndoshta ju i keni thënë të tilla gjëra në analizë?
– Asnjëherë! Patjetër që, si gjithnjë, ne kemi bërë analizën për ndeshjen kundër Apolonisë. Kur nuk arrihet fitorja ndonjë pakënaqësi mund ta ketë kushdo. Diçka nuk ka funksionuar derisa nuk fituam. Nuk duhet të harrojmë dhe koeficientin “fat” sepse 3-4 raste të pastra pas 1-1 ne i kishim. Por nuk është në fjalorin tim t’i them dikujt “të të vijë turp”. Këtë mund ta bëja vetëm nëse kisha dyshime morali. Unë në ekip kam djem të shkëlqyer, nuk dyshoj te morali i askujt. Në momentin e parë që do e bëja, do ta lija skuadrën.
– Çfarë thatë në analizë?
– Asgjë me tone shumë të larta. Debatuam si çdo debat me çdo grup njerëzish që punojnë për llogari të diçkaje që një ditë bën hapa fals.
– Pavarësisht të gjithave, duket se gjërat nuk po shkojnë dhe aq mirë?
– Nuk kemi as pikët e duhura, ato që mendoj unë, por kemi çaluar dhe në lojë. Megjithatë është vetëm fillimi. Skuadrës i duhet dhënë pak kohë.
– Sulmi në mënyrë evidente nuk po funksionon?
– Unë në sulm kam lojtarë normalë, lojtarë të aftë. Rexha është një djalë i ri. Ai nuk ka një kontratë të majme. Më ka pëlqyer në fillim por kam rezervat e mia ndaj tij për Apoloninë. Ai kërkon kohë të përshtatet. Ndërsa Hajdari vërtet nuk ka shënuar por ka qenë ndër më pozitivët në këtë repart.
– Kritika të shumta për Hysën…
– Dua të shpjegoj një gjë për këtë lojtar. Patjetër që e kemi zgjedhur ne si staf në merkato sepse të gjithë i kemi zgjedhur ne. Nuk e mohoj që pres më shumë nga ai. Dhe nëse e kritikoj, madje dhe në analizë e kam kritikuar, kjo ndodh sepse pritshmëria për të është e lartë. Unë mund t’i kërkoj kohë ambientimi Rexhës, por jo Hysës. Tanimë duhet të ish ingranuar. Por unë patjetër do flas me të.
– Titulli duket ende larg
– Ne, unë Grima apo drejtuesit, por dhe lojtarët nuk e kemi përmendur kurrë fjalën titulll. Pse kërkoni gjëra që nuk i kemi thënë?! Dhe nëse do isha me 12 pikë në këto momente, sërish do refuzoja të thoja fjalën “titull”. Por patjetër që ne jemi në garë për të qenë në krye. Skuadrat janë aty-aty, dhe patjetër që do të ketë shumë rivalitet.
– Shumë tifozë ngelën të pakënaqur nga ndeshja kundër Apolonisë
– Po aq sa ata, edhe unë. Tifozët janë të ndjeshëm, sidomos tifozët shqiptarë. Ata duan sukses, e duan suksesin menjëherë. Por ata po shohin dhe shembuj ndërkombëtarë që një ekipi të sapoformuar i duhet të paktën 2 muaj kohë. Unë e di që tifozi dhe situata nuk pret pafundësisht. Nuk po kërkoj alibi. Më erdhi keq që kjo ndeshje shkoi kështu si shkoi, sepse mendoja që do të ishte një hap përpara, pas fitores me Luftëtarin. Por ne nuk luajmë përballë askujt. Skuadrat e këtij kampionati nuk kanë shumë disnivele. Ne fituam thellë 3-0 ndaj Luftëtarit, por kjo nuk do të ndodhë përditë.
– A ju rrezikohet stoli?
– Kjo është një pyetje në kufijtë e absurdes. Askush nga drejtuesit e skuadrës nuk më ka vënë kurrë në diskutim. Si mund të them që jam i rrezikuar. Logjikisht kështu 80% e trajnerëve në Botë do largoheshin pas javës së katërt. Nëse skuadra dhe disa javë të tjera nuk do mbledhë pikë normal që shumë gjëra do diskutohen. Por unë besoj te skuadra ime.
– A ka pasur polemika në ekip në lidhje me një 11-metërsh kundër Luftëtarit që donte ta gjuante Osmani?
– Asnjë polemikë, ne nuk jemi në olimpiadë matematike. Ne jemi në futboll, aty ku emocionet bëjnë të vetën. Osmani kish shumë dëshirë ta gjuante atë penallti, ndërkohë që unë më parë kisha caktuar Smajlin. Për mua janë të dy shumë të rëndësishëm, nga lojtarët më të mirë të mundshëm në qarkullim.
– A e keni grupin e plotë?
– Buxheti që kishim për të ndërtuar skuadrën aq ishte. Bëmë çfarë është e mundur që të ishim një ekip super dinjitoz. Ju mendoni se unë nuk e doja Pejiçin apo Bratiçin, për shembull? Por, ky ishte buxheti. Nuk ankohem, kam lojtarë të aftë. Kam 13-14 futbollistë cilësorë, të cilët do të alternohen në varësi të formës, objektivit dhe kundërshtarit.
– Jeni i kënaqur 100%?
– Jo, dhe nuk e mohoj. Por do të punojmë të gjithë bashkë. Pa turp, ama!
Intervistoi:Gjergji Stefa