Shpëtim Gjika thyen heshtjen. Ish-presidenti vendos të flasë pas shumë kohësh për Flamurtarin. Pavarësisht se vlonjatët fituan me shifrat 0- 2 përballë Luzit, kjo gjë nuk e ka ngrohur fort ish-presidentin karizmatik të kuqezinjve. Edhe pse ka zgjedhur që të qëndrojë larg mediave, nuk ka humbur asnjë ndeshje të luajtur deri në këtë pikë të kampionatit. I ka ndjekur në shtëpi apo transferta qoftë, duke mos i kursyer mbështetjen ekipit të zemrës.gjika
NGËRÇI NË LOJË – Gjatë një prononcimi të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ish-kryebashkiaku i Vlorës, analizon me detaje atë çka pa në transfertën e fundit. Thekson se nuk i ka pëlqyer aspak loja e skuadrës në Peqin, që sipas tij nuk kishte logjikë dhe as rrjedhshmëri. Një vlerësim e ka për lojtarët, por nuk i shmang as rezervat.
“Patjetër që unë e ndjek Flamurtarin. Kur kam pasur mundësi kam shkuar në stadium, ndërsa në raste të tjera, kur nuk mundem apo luan në transfertë, e ndjek nëpërmjet televizorit. Të them të drejtën, në ndeshjen e fundit që luajtën me Luzin, më pëlqyen pikët. Dihet që ato janë të rëndësishme për të realizuar misionin që kanë, por loja aspak.
Edhe pse terreni ishte i vështirë, kjo nuk është justifikim, pasi skuadra duhet të shfaqë vlerat e saj. Mendoj se kemi lojtarë shumë të mirë, por loja nuk ka shumë logjikë, rrjedhshmëri e automatizma. Këto gjëra duhet që të përmirësohen”, thotë fillimisht ish-presidenti.
KRITIKA TROISIT – Shpëtim Gjika nuk lë pa shënjestruar trajnerin. Mendon se Marcelo Troisi nuk i përgjigjet plotësisht cilësive të lojtarëve që ka në organikë. Evidenton se është e vështirë që të menaxhosh “bandën” e brazilianëve dhe sidomos kur janë me shumicë. “Thumbi” i ish-presidentit për teknikun shkon deri aty sa përmend, që tekniku ka defekte edhe në aspektin teknik.
“Unë gjykoj që ekipi ka ‘brumë’, të mirë madje. Por dua të them se trajneri nuk i përgjigjet plotësisht cilësisë së lojtarëve. Nga eksperienca them se është e vështirë të menaxhosh futbollistë brazilianë, aq më tepër kur janë me shumicë.
Në këtë aspekt, trajneri ka meritë. Është duke i menaxhuar dhe administruar më së miri. Por, teknikisht mendoj trajneri ka defekte dhe insistoj për këtë pjesë. Sidoqoftë, uroj që unë të jem gabim në këtë gjykim timin”, përfundon ish-numri një i Bashkisë Vlorë.