Përfaqësuesja Shpresa nuk i ka bërë një mbyllje ashtu siç shpresonte eliminatoreve të Europianit të kësaj grupmoshe, pasi në ndeshjen e fundit, që mund të sillte edhe vendin e dytë në grup, është mposhtur me shifrat 5-0 nga Anglia.
Sigurisht, përballë britanikëve shpresohej në një mrekulli për të marrë tri pikët, por në ndeshjen e sotme Shqipëria ia ka bërë vetë dhuratë suksesin duke gabuar thuajse gjithçka që mund të gabohej që në startin e sfidës.
Përballë një ekipi me emra të rëndësishëm si Nkietiah dhe Hadson-Odoi, të cilët luajnë në Premier Ligë, stafi kuqezi vendosi në mënyrë të çuditshme të aktivizonte 5 futbollistë ofensivë që nga minuta e parë: Xhixha, Dobra, Muçi, Tuci dhe Bullari. Kështu, kuqezinjtë lëshuan plotësisht mesufshën dhe ua bënë të thjeshtë kundërshtarëve që të zhvillonin gjithë lojën pranë portës tonë ku debutimi i Mollës la shumë për të dëshiruar.
Portieri i ri, gaboi që në golin e pare të shënuar nga Hadson-Odoi pas 4 minutash dhe më pas e kishte të vështirë të kontrollonte gjuajtjet nga sulmet e pareshtura angleze që vazhduan derisa u shënuan golat e Xhastin dhe Musiala: Ata gjenin hapësira të jashtëzakonshme mes mbrojtjes së përgjumur kuqezi, e cila sot shfaqi pasiguri të çuditshme po të krahasohen me ndeshjet e mëparshme.
Në pjesën e dytë, stafi kuqezi ndryshoi diçka duke hedhur futbollistë me tipare më mbrojtëse në fushë, por Nketiah gjeti mundësinë të shënonte golin e katërt, para se të gabonte një penallti të neutralizuar nga Molla, I cili shleu gabimin që kishte bërë duke e shkaktuar atë.
Por portieri nuk mund të bënte asgjë ndaj një tjetër gjuajtje të sulmuesit anglez që vulosi rezultatin përfundimtar 5-0 dhe tregoi se Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë nëse do të synojë ndonjëherë kualifikimin me këtë grupmoshë.
Gjithsesi, kuqezinjtë mbyllin grupin në vendin e tretë të eliminatoreve, një arritje pozitive duke llogaritur se lënë prapa përfaqësueset e Turqisë, Kosovës e Andorrës, duke bërë një hap para në krahasim me edicionet e fundit ku kishte qenë gjithmonë pranë fundit të klasifikimit. /vipsport:
U21 Angli-Shqipëri 5-0
5′ Hadson-Odoi, 26′ Xhastin, 36′ Musiala, 52′, 86′ Nketiah
Anglia: Bursik, Uilmot, Godfrei, Xhustin, Musiala, Skip, Devis, Bukenon, Hadson-Odoi, Nketiah.
Trajner: E. Bothrojd
Shqipëria: Molla, Marku, Selmani, Mitaj, Sota, Tuci, Çokaj, Muçi, Dobra, Bullari, Xhixha.
Trajner: Xh. Mustedanagiç