Ndeshja Shqipëri-Skoci, e cila do të luhet nesër në mbrëmje, ora 20:45, në “Loro Boriçi” të Shkodrës, ka marrë vëmendjen edhe të mediave të huaja. Kështu, “Goal.com” ka bërë prognozën e vet për këtë përballje të Ligës C, Grupi 1, të Ligës së Kombeve. Ja çfarë shkruan ky sajt ndërkombëtar për futbollin:
“Skocia përballet me një transfertë testuese kundër Shqipërisë, në Ligën e Kombeve, të shtunën në mbrëmje. Të besuarit e Alex McLeish “u ringjallën” në këtë kompeticion me një fitore 2-0 ndaj shqiptarëve, në Hampden, por pësuan humbje dekurajuese 2-1 ndaj Izraelit, në Haifa, muajin e kaluar.
Megjithatë, një fitore ndaj shqiptarëve nesër në mbrëmje dhe një tjetër në shtëpi, kundër Izraelit, javën e ardhshme, do ta shihte kombëtaren skoceze në krye të grupit. Shqipëria mundi Izraelin në fushën e vet, në ndeshjen hapëse të kësaj gare, ndërsa Christian Panucci do të shpresojë se avantazhi i të luajturit në shtëpi do ta ndihmojë skuadrën e tij të fitojë të shtunën, kundër Skocisë.
Eros Grezda, i cili luan futboll në rang klubi në Skoci, me Rangers, mund të jetë pika referuese në sulmin e vendasve. Pasi ka shënuar dy herë për skuadrën e Steven Gerrard, të dielën, mesfushori me tipare sulmuese është plot besim.
Steven Naismith dhe Leigh Griffiths janë lënduar, kështu që sulmuesi i Sheffield, Steven Fletcher, është rikthyer në kombëtaren e Skocisë pas një mungese 13-mujore dhe duket se ka gjasa ta nisë si titullar. Scott Bain, Scott McTominay, Jack Hendry dhe David Bates janë bashkuar me kombëtaren skoceze pas Craig Gordon, Charlie Mulgrew, Michael Devlin, Kevin McDonald dhe Stephen O’Donnell.
Shqipëria ka shënuar vetëm dy gola në shtatë ndeshjet e fundit, ndërsa Skocia ka realizuar më shumë se një herë në vetëm një nga nëntë ndeshjet e saj të fundit. Si e tillë, “bet365” ofron kuotën 8/15 (1.53) se ka më pak se tre gola në këtë ndeshje, ndërsa e njëjta kompani ndërkombëtare bastesh ka kuotën 4/6 (1.67), se secili ekip nuk arrin ta gjejë rrugën e rrjetës.
Golat shihen si të vështirë të shtunën në mbrëmje dhe, kështu, kuota 13/8 (2.63), për më pak se dy gola, është parashikimi më bindës që mund të bëhet paraprakisht”./telesport/