Shqipëria çel fushatën e kualifikimit për në EURO 2020 ndaj Turqisë. Përballja midis tyre është më tepër se një derbi ballkanik, duke patur parasysh arritjet e mëdha që rivalët tanë kanë regjistruar në dekadën e kaluar.
Beteja e 22 marsit në “Loro Boriçi” është ballafaqimi i 11-ë midis nesh dhe euroaziatikëve.
Bilanci është mjaft pozitiv për Shqipërinë teksa në 10 përballje kanë fituar 4 herë, janë ndalur në barazim 2 herë dhe në 4 takime të tjera nuk ia kanë dalë dot të fitojnë.
6 sfida të zhvilluara midis dy kombëtareve kanë qenë konkurese në kuadër të procesit të kualifikimit në kampionatin europian ose botëror. Takimi i parë ka qenë në 13 dhjetor të 1970 në shtëpinë e Turqisë, ndeshje e vlefshme për pjesëmarrje në EURO 1972. Mundemi me rezultatin 2-1, ndërsa në Tiranë i mposhtim bindshëm me shifrat 3-0 gati një vit më vonë në 14 nëntor të 1971.
Shqipëria ka siguruar dy triumfe të paharrueshme ndaj rivalëve turq. Në 21 janar të 1998, kur Kombëtarja drejtohej nga Astrit Hafizi, lojtarët kuqezinj shkatërruan Turqinë me rezultatin 4-1 në kështjellën e tyre.
19 vite më pas, historia përsëritet. Pas përfundimit të fushatës për kualifikimin në Kupën e Botës “Rusi 2018” Shqipëria nën drejtimin e Christian Panuccit fiton në mënyrë të pabesueshme 3-2 me dopietën e Armando Sadikut dhe golin vendimtar të Eros Grezdës.
Këtë të premte, të dy lojtarët kuqezi me shumë gjasa mund të nisin sfidën si titullarë ndaj Turqisë. Normalisht, nuk është më ajo Turqi e frikshme kur zinte vendin e tretë në Botëror apo renditej mes 4 mirave të Europës në 2008, por sa herë që i kemi nënvlerësuar kundërshtarët që kanë afërsisht me nivel me ne, Kombëtarja ka zhgënjyer shumë herë. Prandaj, vlerësimi maksimal i rivalit dhe përkushtimi maksimal do të jenë faktor vendimtar për të thyer Turqinë./newsport/