Situata me miqësoren Shqipëri-Ukrainë po merr gjithmonë e më shumë përmasa qesharake.

Të dy federatat, të cilat kanë firmosur marrëveshjen me kompaninë e menaxhimit që u sugjeroi ndeshjen në Zvicër, tashmë i janë drejtuar për ndihmë FIFA-s duke kërkuar që lëmshin qesharak që kanë krijuar, ta zgjidhë kjo e fundit.

Federatat nuk mund të anulojnë vetë ndeshjen, pasi përndryshe do të duhej të dëmshpërblenin kompaninë në fjalë.

Kjo e fundit ka menduar që takimin ta bëjë në një stadium që as i tillë nuk mund të quhet, që mban rreth 3500 spektatorë dhe ku terreni është në kushte aspak të mira.

Palët, si për të justifikuar mosdëshirën e tyre për të luajtur aty,sepse kanë firmosur në kontratë që mund të luajnë ku cakton organizatori i cili merr përsipër shpenzimet dhe akomodimin e tyre, i janë drejtuar FIFA-s me shkresë zyrtare.

Ndërkombëtarëve u kanë dërguar si provë foto nga stadiumi, për të treguar se është i papërshtatshëm për ndeshje ndërkombëtare dhe tashmë presin nga kjo e fundit që të marrë një vendim.

Nëse FIFA e cilëson të papërshtatshëm, atëherë organizatori do të jetë i detyruar t’i gjejë një stadium tjetër.

Përndryshe, Shqipëria dhe Ukraina do të detyrohen të udhëtojnë drejt Evian për të luajtur takimin, ose të paguajnë dëmshpërblimin nëse nuk e zhvillojnë atë.

Duhet theksuar se ka qenë Shqipëria që ka ftuar Ukrainën për këtë miqësore dhe ukrainasit nuk është çudi që të kërkojnë dëmshpërblim që u shkoi dëm një datë e mundshme për miqësore. /vipsport/