Kombëtarja shqiptare e boksit ka arritur të nxjerrë plot 6 boksierë në finalet e Memorialit të 10-të ndërkombëtar “Vllaznia 2013”. Në ndeshjet e sotme që kanë qenë të vlefshme për gjysmëfinalet e këtij aktiviteti të rëndësishëm, ka rënë në sy fitorja e plot gjashtë prej boksierëve tanë. Konkretisht Taulant Zajmi ka fituar të drejtën për të dalë në finalen e peshës 52 kg, Rexhildo Zeneli në finalen e peshës 56 kg, Kristian Shytani në finalen e peshës 64 kg, Xhulio Vrenozi në finalen e peshës 69 kg, Kristian Demaj në finalen e peshës 81 kg dhe Nelson Hysa në finalen e peshës +91 kg. Në ndeshjet e sotme ndërkohë nuk kanë arritur dot të fitojnë dhe të kalojnë në finale boskierët Fatjon Arapi i cili në peshën 60 kg ka humbur dhe po ashtu, ka humbur edhe Bekim Vjerdha në peshën 75 kg. Megjithatë fakti që gjashtë prej boksierëve tanë janë në finale është një arritje. Shumica e këtyre ndeshjeve do jenë me boksierë të kombëtares ruse dhe për rrjedhojë priten ballafaqime shumë të forta. Organizatorët e këtij Memoriali që është i 10-të që zhvillohet në Shkodër, kanë bërë të ditur se ndeshjet e ditës finale do të nisin ditën e dielë në orën 18.00 dhe pritet që atmosfera në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të jetë shumë e nxehtë.
Gjergj KOLA
(www.shkodrasport.com)