
Kuqezinjtë tanë kanë zhgënjyer sërish. Pasditen e sotme ata nuk kanë arritur të fitojnë as në Qipro ndaj një skuadre shumë të dobët dhe për rrjedhojë ky 90 minutësh, i fundit i eliminatoreve të Brazil 2014, ka dhuruar barazimin 0-0. Ndeshja nis mirë për Shqipërinë që duhej të kishte shënuar shpejt me anë të Salihit por ai gabon. Më pas loja fillon të zbehet dhe ndonëse lojtarët tanë e kontrollojnë më shumë topin, ata nuk godasin siç duhet në portën qipriote. Minutat kalojnë pa asnjë emocion të vecantë dhe fundi i pjesës së parë i dërgon skuadrat në dhomat e zhveshjes në shifra të bardha. Një gjysmëlojë e dobët dhe hera-herës e mërzitshme, ku secila palë stonon në mënyrën e të luajturit, edhe pse nuk kanë as cfarë të humbasin dhe as të fitojnë. Edhe pjesa e dytë është e njëjtë, fillon më mirë për kombëtaren e drejtuar nga De Biazi por më pas loja fillon të zbehet. Fundi i ndeshjes i zgjon disi kuqezinjtë, që përmes veprimeve individuale kujtohen të bëjnë dicka në funksion të zhbllokimit të rezultatit, por goli nuk del dot në dritë. Një barazim i zbehtë në ndeshjen përmbyllëse kualifikuese, që po t’ua shtosh tri humbjeve radhazi pararendëse, bën që të ngresh pikëpyetje të mëdha për kombëtaren tonë. Një “rënie e lirë” e frikshme e kuqezinjve në këtë vjeshtë, e cila mund të konsiderohet si mjaft e hidhur për pritshmëritë e tifozëve dhe opioninit futbolldashës shqiptar. Ne ndeshjen e sotme kane luajtur edhe dy sulmuesit shkodrane, Hamdi Salihi qe u aktizua per 85 minuta dhe Bekim Balaj qe e zevendesoi pikerisht ate ne 5 minutat e fundit te ndeshjes. I mbyllim këto eliminatore sërish të parafundit me vetëm 11 pikë të grumbulluara dhe tashmë duhet menduar se çfarë do bëhet me De Biazin. Në fakt, italiani përveç punës së mirë që ka bërë në seleksionimin e lojtarëvëe, la për të dëshiruar në rezultatet e skuadrës. Prandaj dhe me shumë mundësi, ai do të largohet nga pankina kuqezi.
© shkodrasport.com