Kombëtarja shqiptare e futbollit për femra e ka nisur me barazim aventurën e saj në turneun më të ri të UEFA-s, Ligën e Kombeve, ku ajo merr pjesë në Ligën B. Vajzat kuqezi kanë barazuar me shifrat 1-1 ndaj Hungarisë në ndeshjen e luajtur në “Loro Boriçi”.

Edhe pse skuadra mike dominoi me rastet që krijoi, do të ishin vajzat kuqezi që do të shënonin të parat me anë të Qendresa Krasniqit në minutën e 26-të të sfidës, ku portierja Viona Rexhepi u bë protagoiniste me pritje të njëpasnjëshme.

Në pjesën e dytë, Shqipëria u mundua të shfrytëzonte hapësirat që linin kundërshtaret të orientuara drejt sulmit për barazimin, por pa ia dalë të tundnin përsëri rrjetën. Këtë e bënë miket me kapitenen Fenivesi në minutën e 74-t të ndeshjes, duke barazuar shifrat, me rezultatin që nuk ndryshoi më.

Shqipëria kthehet përsëri në fushën e lojës të martën, këtë radhë për t’u përballur në transfertë me Irlandën e Veriut në Belfast.