Kombëtarja e Shqipërisë në volejboll, fitoi sot pastër sfidën ndaj Gjeorgjisë, 3-0 me sete.
Ndeshja e zhvilluar në Tbilisi të Gjeorgjisë, pa vajzat e trajnerit Altin Martiri të bënin një paraqitje të shkëlqyer, dhe duke marrë një fitore mëse të merituar në European League.
Seti i parë nisi i ekuilibruar, por më pas gjatë lojës ishte Bici e papërmbajtshme në parket, dhe ky seti i parë u mbyll me fitoren 25-16.
E njëjta situatë edhe në setin e dytë, volejbollistet kuqezi shkëputen herët dhe nuk lejojnë vendaset të rivalizojnë.
Loja e mirë kolektive bën diferencën në fushë, luhet mirë në mbrojtje dhe loja në bllok është efikase.
Shqipëria fiton 25-18 dhe udhëheq 2-0 me sete. Më i bukur seti i tretë, ku vendaset rivalizojnë fort, madje udheheqin deri në 21-18.
Ky është momenti kyç i takimit, pasi këtu loja ndërron kah. Vajzat kuqezi në 5 pikë radhazi, falë edhe disa shërbimeve të mira të Marinës, duke përmbysur shifrat dhe fitojnë 25-22 e krejt takimin 3-0.
Festë kuqezi në parket, që e nisin mbarë këtë aventurë europiane. Një lojë e mirë kolektive, që dha frutet e saj në këtë takim. Sfida e radhës në Tiranë, më 23 maj ndaj Austrisë.
Gjeorgji – Shqipëri 0-3 (16-25, 18-25, 22-25)
GJEORGJIA: Koraevi, Batsatsashvili, Gaprindashvili, Kipshidze, Sanadze, G.Ulumbelashvili, Beriashvili, Diasamidze, Chelidze, Sosnovskaya, Kalandadze, Markarashvili, Tchautchidze, Lobzhanidze. Trajner: Paata Ulumbelashvili
SHQIPËRIA: Bici, E.Tuci, Xheka, Marina, Prenga, Thaka, Picaku, Sejfullai, Rexhepi, Kushi, Sijoni, M.Tuci, Shehi, Dodani. Trajner: Altin Martiri