Me fitoren ndaj Polonisë më 10 Shtator, kombëtarja shqiptare e futbollit i vuri vetes notën 10, me paraqitjet e bëra deri tani në kualifikueset e Euro 2024.
Në fakt, 10 janë pikët e Shqipërisë në vendin e parë të renditjes së grupit E. Tashmë kuqezinjtë janë një nga favoritët për të kaluar kualifikueset pasi rezultati 2-0 e mban Shqipërinë në avantazh në raport me Poloninë që në fushën e saj disa muaj më parë fitoi vetëm 1-0.
Skuadra e Fernando Santos tashmë ka 4 pikë më pak në renditje teksa ka ende 3 ndeshje për të luajtur deri në fund të kualifikueseve.
Nëse në fund të kualifikueseve, Polonia do të ketë pikë të barabarta me Shqipërinë, golavarazhi favorizon kombëtaren tonë.
Gjithsesi ende nuk mund të thuhet se kualifikimi është i sigurt. Kujdesi në 3 ndeshjet e fundit të Shqipërisë duhet të jetë maksimal.
Republika Çeke e vendit të dytë ka 2 pikë më pak, por ka edhe katër ndeshje për të luajtur. Delikate për Shqipërinë do të jetë sfida me Çekinë më 12 Shtator. Në rast të një fitoreje, Shqipëria do të kalojë një këmbë në finale.
Në europian shkojnë direkt skuadrat që renditen në dy vendet e para të grupit. Sipas llogarive, Shqipërisë i duhen 5 pikë nga 9 të mundshme në tre ndeshjet e radhës për të shkuar në Gjermani 2024.Gjithçka është ende në lojë, por fitorja ndaj Polonisë dha sinjal të fortë se duhet të besojmë.