Pasditen e djeshme në Budapest të Hungarisë është luajtur ndeshja e dytë e vlefshme për Ligën e Europës për kombëtaren shqiptare të volejbollit për meshkuj.
Kombëtarja jonë vinte pas humbjes në Bjellorusi tre ditë më parë dhe padyshim që kërkonte të ndryshonte shumë gjëra në lojën e saj.
Në fakt, edhe ndeshjen ndaj Hungarisë nuk e nisi mirë duke e humbur setin e parë por më pas gjërat do të ndryshonin.
Lojtarët tanë e rritën shumë performancën e tyre dhe kanë fituar njëri pas tjetrit tre sete rradhazi duke fituar gjithë ndeshjen me rezultatin 3-1.
Pika e fundit e këtij takimi është fituar pas një blloku shumë të mirë të volejbollistit shkodran Anton Qafarena.
Madje, ky lojtar në përfundim të ndeshjes është vlerësuar edhe si lojtari më i mirë i saj duke marrë edhe trofeun e posaçëm që Federata Europiane akordon për më të mirët e çdo përballje.
Sigurisht që kemi të bëjmë me një lojtar cilësor i cili pas kalimit në Bundesligë e ka rritur shumë nivelin e tij dhe tashmë këtë përvojë po e shfrytëzon edhe për kombëtaren tonë.
Përveç Qafarenës, pjesë e kombëtares shqiptare janë edhe shkodranët e tjerë Renato Kola, Mario Gjoklaj e Klaudio Qeraxhia.
© shkodrasport.com